E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: Raport Progresi i KE, axhendë kombëtare. Jemi të vendosur të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sfida kryesore, kodi elektoral. Në muajt e ardhshëm në fokus: reforma në drejtësi dhe çështja e imunitete

  Deklaratë për mediat e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për Progres Raportin e KE  2008 Në emër të Kuvendit të Shqipërisë përshëndes Raportin e Progresit për vitin 2008 për Shqipërinë. Ky raport është një vlerësim objektiv  i punës së Parlamentit. Në këtë raport të progresit, i cili është dhe shumë profesional,  në secilën prej 56 faqeve të tij, fjala progres përmendet mbi 100 herë dhe në shumë faqe kjo fjalë përsëritet 5, 6 herë. Në kapitujt më të rëndësishëm të tij (kriteret politike, demokracia dhe shteti ligjor, kriteret ekonomike si dhe në kapitullin standartet europiane) fjala progres ka intensitetin më të lartë. Natyrisht, vihen në dukje edhe fushat ku duhet bërë më shumë dhe sfidat me të cilat do të përballemi. Falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që bënë të mundur që siç thotë raporti: Kuvendi ka konsoliduar më shumë  rolin e ti,  si fokusi kryesor i debatit politik dhe se: Kuvendi ka arritur gjithashtu të miratojë një numër të konsiderueshëm ligjesh për të përafruar legjislacionin me aqcuis. Jam krenare që Kuvendi, vetëm vitin e kaluar ka miratuar jo pak, por 314  ligje, vendime e akte normative, 13 rezoluta, 31 interpelanca, 14 raportime, në 91 seanca plenare, ose 360 orë debat vetëm në seanca plenare. Natyrisht ka pasur edhe momente të vështira të marrëdhënieve midis parlamentit dhe insistucioneve që burojnë prej tij, si në rastin e emërimit të gjykatësve, por amendimi me konsensus i Rregullores dha zgjidhjen e kënaqshme edhe në këtë rast. Momenti kulmor i punës së parlamentarizmit, padyshim ka qenë ndryshimi i Kushtetutës, i sistemit elektoral, i mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Në këtë periudhë, siç thotë raporti, Forcat politike filluan të bashkëpunojnë për çështje madhore. Ky konsensus midis mazhorancës dhe opozitës ka rezultuar me progres në reformën gjyqsore dhe atë elektorale. Vërtet, siç rikonfirmon edhe deklarata e djeshme, Shqipëria ka bërë progres drejt Bashkimit Europian  dhe se reformat politike kyçe po progresojnë, duke përfshirë reformën elektorale. Por ne nuk vetkënaqëmi. Ne e dimë sa punë na duhet të bëjmë. Parlamenti ka sfida të mëdha përpara. Raporti konstaton qartësisht progresin në reformën zgjedhore. Por ne edhe një herë sigurojmë, se jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sfida kryesore, kodi elektoral është prioriteti ynë, vëmendja jonë; dhe ju garantoj se do të mbyllet së shpejti. Në këtë mënyrë zbatohet me korrektësi dhe transparencë rekomandimi i raportit të progresit për miratimin në kohë të një Kodi Elektoral gjithëpërfshirës dhe transparent, për zgjedhje të lira dhe të drejta në 2009-tën, si një prioritet në Partneritetin Europian. Në muajt e ardhshëm, reforma në drejtësi dhe çështja e imuniteteve të deputetëve dhe zyrtarëve, do të jenë fokusi real i punës dhe i axhendës së këtij Kuvendi. Për këtë, dialogu konstruktiv është gur prove, si shprehje e  maturisë së klasës politike dhe i vullnetit të sinqertë. Javët e fundit janë bërë konsultime për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, titullarëve shtetërorë dhe deputetëve. Ftoj edhe institucionet e tjera të shohin me seriozitet këtë çështje të rëndësishme të cituar edhe në raportin e progresit. Mirëkuptojmë raportin për domosdoshëmrinë e rritjes së ekpsertizës në parlament dhe për mungesën e progresit në rritjen e rolit monitorues të parlamentit. Këtu parlamenti duhet të marrë një dimension më të fuqishëm. Kjo do të jetë një tjetër pikë e përqendrimit të punës të komisioneve përkatëse. Vitin e kaluar numri i grupeve të interesit që kanë marrë pjesë në diskutimin e ligjeve në Kuvend është rritur ndjeshëm. Konsultimi me këto grupe  në këtë vit ka shënuar rritje të qenësishme në krahasim me një vit më parë. Bashkëpunimi me këto grupe do të njohë një rritje edhe më të madhe në vazhdim. Raporti thotë se Shqipëria vazhdon të bëjë progress në lirinë e shprehjes, prioritet kyç ky i Partneritetit Europian. Në raportin e progresit, po ashtu thuhet se :është bërë progres në adaptimin e ligjeve në politikën e mediave. KKRT-ja dhe Parlamenti së bashku kanë pregatitur një plan veprimi mbi reformën në media dhe kanë draftuar një strategji të dixhitalizimit. Vazhdoj të besoj se, Komisioni parlamentar i Edukimit dhe mjeteve të informimit publik në zbatim të planit të punës së tij , në bashkëpunim me KKRT-në, me asistencën e BE-së dhe Këshillit të Europës dhe në konsultim edhe me faktorët e interesit, të dalë me një produkt konkret të një projektligji për median të standarteve të kërkuara nga BE-ja. Jam veçanërisht e kënaqur që në raportin e progresit thuhet se: Në lidhje me të drejtat e grave dhe fëmijëvë raportohet progres. Megjithë vlerësimin për ligjet e miratuara mbi çështjete gjinore, amendimet e Kodit penal dhe ligjit kundër dhunës në familje, jam e vetëdijshme që instrumentet e nevojshëm dhe implementimi i tyre mbeten për tu përmirësuar. Ndihem mirë që Kuvendi, duke konsoliduar rolin e tij në debatin politik ka qenë vendimtar për kalimin e shumë ligjeve të reformave ekonomike që kanë bërë të mundur siç thuhet në raport që: ekonomia të njohë rritje të fuqishme; rrogat të bëhen më të larta; investimet e huaja direkte të arrijnë 6% të GDP (PPB) dhe borxhi i jashtëm të zbresë; kushtet e tregut të punës të përmirësohen; privatizimet të jenë të sukseshme dhe informaliteti të ulët. Falënderoj deputetët e Kuvendit që kanë bërë të mundur përmirësimin e legjislacionit për të rritur luftën kundër korrupsionit dhe të përmirësojnë legjislacionin mbi pronën private.
 
Parlamenti ka bërë shumë mirë që siç thotë raporti i progresit: ka rritur buxhetin e arsimit me 12% më shumë se një vit më parë. Kuvendi, përmes komisioneve të përhershme, ka rritur rolin e tij të monitorimit mbi institucionet që raportojnë përpara tij. Për të rrritur kapacitetet teknike dhe të ekspertizës për këtë proces Kuvendi ka ngritur një drejtori monitorimi, duke iu përgjigjur paraprakisht kërkesës për forcimin e rolit monitorues të Kuvendit.  
Përmbushja e detyrimeve në kuadër të MSA është axhenda e punës sonë. Ky raport i progresit është programi i punës së parlamentit. Në fakt ky raporti është një axhendë kombëtare. Ftoj të gjithë institucionet që të lexojnë me të njëjtin seriozitet këtë raport që ky të jetë kalendar i punës jo vetëm për qeverinë dhe parlamentin por edhe për vetë këto institucione. Kjo do të thotë që çdo titullar i institucioneve që raportojnë përpara Kuvendit, duhet të marrë përgjegjësinë për të plotësuar kërkesat dhe standartet e kësaj kontrate të madhe kombëtare. 
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›