Kryetarja e Kuvendit: Reformat që ne morëm përsipër ishin të vështira, por ne ja dolëm mbanë.
Fjala e Kryetares së Kuvendit,Jozefina Topalli mbajtur sot në Librazhd.
Të nderuara zonja, nëna të reja
Të dashura banore të Librazhdit
Unë ndihem mirë, e privilegjuar që kam mundësi të takoj zonja të nderuara në qytete e rrethe të ndryshme të Shqipërisë.
Unë kam ardhur sot këtu jo vetëm për të adresuar këtë sallë, por për ti folur sinqerisht dhe direkt çdo gruaje, e çdo familjeje që na ka besuar e na beson.
Përpara se të bëhesha Kryetare e Parlamentit isha vetëm deputete.
Përpara se të bëhesha deputete isha pedagoge, për të arritur në atë detyrë rruga ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë.
E them këtë, sepse dua të më konsideroni si njerën prej jush, që në jetën e saj është përballur me vështirësi ekonomike, me ditë kur skishte para për të blerë bukën e gojës, kur nuk të njihnin meritën, kur nuk të jepnin mundësi për punë, e për më tepër të internonin.
Sot, gjërat janë ndryshe për ne, për vendin tonë. Shqipëria ka ndryshuar, ne kemi ndryshuar.
Natyrisht ne nuk jemi vend i pasur, nuk i kemi zgjidhur të gjitha hallet tona, por kemi mësuar shumë gjëra, jemi përballur me shumë sfida, kemi treguar si komb se kemi dinjitet, se kemi energji, se jemi po aq të zotë sa të tjerët, pavarësisht se historia jonë nuk na ka përkëdhelur në shekuj.
Në këtë përballje gratë kanë mbajtur një peshë të madhe, një peshë të madhe me fëmijët, me familjen, e me shoqërinë.
E nëse sot ne kemi një Shqipëri të ndryshuar kjo është kryesisht nga sakrificat, puna, besimi, që ne të gjithë bashkë pa dallim kemi dëshmuar.
Edhe në momente të vështira ne nuk jemi frikësuar, as nuk jemi dekurajuar.
Na thanë se reformat ekonomike nuk do ti bëni. Na thanë se nuk do i ulnim taksat. Për skeptikët kjo është natyrale. Për ato që nuk morën përgjegjësi kur e kishin në dorë, kjo është e kuptueshme. Por ndryshe nga të parët e të dytët, shumica e shqiptarëve e besuan, dhe nuk gabuan.
Reformat ishin të vështira, por ne ja dolëm.
Na thanë se duke ulur taksat do të zvogëlohej buxheti. Përsëri gënjyen. Ne çdo vit, përkundrazi, çuam në parlament një buxhet shtesë.
Dhe kjo, jo vetëm një herë, por tre vite rresht, e kështu do jetë edhe në vitet e ardhshme.
Sot, tre vite mbas 2005, buxheti, jo vetëm nuk është zvogëluar, por është rritur, dhe jo me 10%, as me 100% por 200%. Dhe kjo nuk është thjesht statistikë, por është fakt.
Pastaj, kur e dyfishuam buxhetin, na thanë se skemi aftësi për ta realizuar, sjemi të zotë për të injektuar gjithë ato para në ekonomi.
Përsëri gënjeshtër.
Vetëm në investime ne vendosëm 30% të buxhetit, ose 1,3 miliard dollarë. E kjo përsëri nuk është statistikë, por është realitet.
Janë rrugë të shtruara, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, spitale, ura. Në ekonomitë më të zhvilluara të vendeve që sot janë në krizë një përqindje e tillë në investime do ishte një rrugëdalje.
Na thanë, se nuk kemi mundësi të ulnim papunësinë. Por çdo rrugë e re e filluar, çdo shkollë, çdo investim i ri është një vend i ri pune, është një rrogë në familje, është më shumë para në xhep, është një siguri më e madhe.
Gjatë këtyre viteve të fundit, kam mësuar se pothuaj shumica e qyteteve më të mëdha të vendit ishin pa sistem të kanalizimeve të ujrave të zeza, tamam si në vendet më të humbura të kësaj bote.
E konsideruam të papranueshme dhe e përmbysëm situatën.
Doktrina jonë e bazuar në kolonat e uljes së taksave, në rritjen e të ardhurave, në rritjen e rrogave e pensioneve si dhe në shumëfishimin e investimeve jo vetëm që funksionoi e prodhoi një Shqipëri të ndryshuar, por shpëtoi Shqipërinë nga vala e parë dhe e dytë e krizës botërore.
Ne e dimë që Shqipëria nuk është e pasur, por është një vend me shpresë, një vend që me punë e vendosmëri, me sens përgjegjësie e realizmi, rritet çdo ditë.
Me instrumentat që qeveria ka në dorë, të vetëdijshëm se në kohën e globalizimit, sfidat janë edhe më të mëdha, ne arritëm të bëjmë privatizime në fushat strategjike.
Shitëm ARMO-n, që ishte një gropë e zezë korrupsioni me një çmim 13 herë më të lartë nga ajo që politika e re kishte planifikuar. Nga 13 milion i kthyem ekonomisë shqiptare 130 milionë dollarë.
Ne e dinim që disa na shikonin me skepticizëm, ndoshta për faktin se ato për disa vite rresht kishin parë sesi qëllimet e mira përmbyseshin në premtime të pambajtura e para të humbura.
Ndaj dhe ne i kërkuam çdo zyrtari seriozitet dhe i paralajmëruam se do mbajmë përgjegjësi për çdo lek të shqiptarëve që do të shpenzohej.
Dhe mirë bëmë.
Mirë bëmë kur shumë zyrtarëve i treguam forcën e ligjit kur ato gabuan, mirë bëmë kur i treguam derën e burgut kur abuzuan.
Dhe kështu do të jetë për çdo spekullues të madh apo të vogël, në cilindo pozicion që të gjendet, në çdo kohë që të guxojë të abuzojë më karrigen e shtetit.
Tolerancë zero i premtuam.
Tolerancë zero i qëndruam.
Puna ime, puna jonë, është të zgjidhim probleme. Detyra jonë është të qeverisim me sensin e përgjegjësisë.
Ata që menduan se nuk e kishim seriozisht gabuan.
Ne e kishim seriozisht kur lançuam përpjekjet më të forta në histori për të bërë ekonominë tonë efiçente. Ne punuam seriozisht në këtë sfidë.
Dhe ia dolëm.
Ne ishim seriozë kur premtuam dyfishimin e rrogave të mësuesve, e ne ia dolëm.
Ne premtuam dyfishimin e pensioneve në fshat dhe rritjen e pensioneve në qytet dhe e mbajtëm fjalën.
Koha ka ndryshuar për Shqipërinë.
Shqipëria ka ndryshuar.
Ne të gjithë kemi ndryshuar.
Mbas një muaji ne jemi anëtarë të NATO-s. Në Strasburg me 5 prill Shqipëria bëhet anëtare e plotëfuqishme me të drejta dhe përgjegjësi të plota. Kjo është historia.
Kjo është histori suksesi. Shqipëria e 2009 tani është vend me siguri të garantuar, me imazh të përmirësuar.
E për këtë ndihem krenare, të gjithë ndihemi krenarë. Ndihemi krenarë për punën që kemi bërë, për sakrificën që çdo grua dhe çdo burrë, çdo i ri, çdo i moshuar, ka bërë në jetën e tij.
Por mbi të gjitha është sakrifica e gruas, është sakrifica e nënës në përkushtimin e saj, në dashurinë e saj të pakushtëzuar për fëmijën e saj, për të ardhmen, për familjen e saj, për fqinjin, për të afërmit, për shoqërinë.
Në këto kohë të historisë moderne ne jemi detyruar të përballemi me opinione e ide të ndryshme mbi sfidat e kësaj kohe.
Unë nuk vuaj nga iluzioni se proceset janë të lehta. Por, ajo që ne nënat kemi më përzemër, është adresimi i sfidës së premtimit, të edukimit të fëmijëve.
Aq më shumë në një ekonomi globale ku aftesitë që ne mund të shesim dijet tuaja, një edukim i mirë nuk është thjesht një rrugë drejt mundësive ai është një parakusht.
Ndaj ne, si qeverisje punojmë që çdo fëmijë të ketë akses për një edukim komplet e kompetitiv nga dita që ato lindin, deri në ditën që ato fillojnë karrierën.
Është kjo arsyeja që ky buxhet krijon iniciativa të reja për performancën e mësuesve të fëmijëve tonë.
Është kjo arsyeja që liberalizuam shkollat, është kjo arsyeja që dyfishuam numrin e studentëve që hyjnë në universitet.
Këto politika edukimi do të hapin dyert e shanseve, të mundësive për fëmijët tanë.
Por është detyra jonë që të sigurojmë që ato të hyjnë në këto dyer.
Në fund, nuk ka program apo politikë që të mund të zëvendësojë nënën apo babain, apo që mund të ndihmojnë në detyrat e shtëpisë pas dreke, apo të fikin TV, apo të heqin videogames-at, apo ti lexojnë libra fëmijëve të tyre.
Unë flas tani jo si kryetare, por si nënë kur them që përgjegjësia për edukimin e fëmijëve tanë fillon në shtëpi. E këtu roli i nënës është unik.