E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit: Shqipëria në NATO, një premtim mbajtur. Ne ia dolëm të fitojmë besimin e vendeve të NATO-s se Shqipëria është një partner serioz.

 

 
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ishte sot e ftuar në konferencën e shoqatës së Atlantikut të Veriut NATO-60 vjet në të mirë të sigurisë ndërkombëtare, ku morën pjesë edhe zëvendës ambasadori i SHBA-së Stephen Cristina, përfaqësues nga Ogranizata Veri-Atlantike, Kryetari i Shoqatës së Atlantikut të Veriut, Arian Starova e përfaqësues të partive politike shqiptare.
 
Unë kam kënaqësi të veçantë sa herë ftohem të flas për një temë që jo vetëm unë por, besoj, të gjithë shqiptarët, e kanë shumë për zemër, u shpreh Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj ku ndër të tjera tha:
 
NATO-n si aleanca më e suksesshme e lirisë dhe sigurisë në historinë e njerëzimit, që u jepte rreze shpresë edhe atyre që u kishte rënë për të jetuar në anën e gjymtuar të kontinentit të vjetër, e ku fatkeqësisht gjendeshim edhe ne.
 
Por çuditërisht megjithë mpirjen e mendjes, ne shqiptarët shihnim drejt saj me sytë e shpirtit dhe thellë thellë trashëguam besimin se i përkisnin  Evropës së lirë dhe të sigurtë, garanci që jepte vetëm një aleancë si NATO në mbrojtje të lirisë dhe e mbështetur në vlerat e demokracisë. 
 
NATO në këtë 60 vjetor vjen me mësimin më të vyer për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen pjesë e saj.
 
Ajo u hap dyert vetëm atyre që duan të ndajnë me të krahas të tjerash edhe vlerën - jo vetëm konsumues të sigurisë së përbashkët por edhe kontribues në këtë siguri.
 
E këtë vlerë e ka bërë të veten edhe Shqipëria që në më pak se dy javë bëhet anëtare me të drejta të plota e  kësaj Aleance e   të mrekullueshme të sigurisë dhe të lirisë.
Në më pak se dy javë vendi ynë përjeton një ngjarje kulmore historike për nga dimensioni e domethënia.

Shqipëria fshin, një herë e përgjithëmonë, nga memoria e saj periudha nënshtrimi në blloqe e traktate famëkeq, periudha trusnie vetizolimi e vetasgjësimi.
 
Ne ishim vendi i parë postkomunist që kërkuam anëtarësim në këtë aleancë dhe pavarësisht vështirësive të natyrshme të tranzicionit tok dhe  trazirave të pamerituara, për asnjë cast e sekondë, nuk e zbehem, nuk e braktisëm por e mbajtëm të shtrënguar fort aspiratën tonë për tu rikthyer në botën nga e cila forcërisht, djallëzisht, pashpirtmërisht na kishin ndarë. 
 
Shqipëria, si pak kush vend në botë, ngjason me Feniksin mitologjik, që ia doli të ngrihet nga hiri me shpirt të paprekur europian, me shpresë të pashuar për një botë të lire, të drejtë e në progres, me dëshirën dhe ambicien për të përmbushur një aspiratë të kahershme të etërve tanë -  kthimin në familjen e madhe të cilës për vokacion dhe identitet ne shqiptarët denjësisht i përkasim.
 
Anëtarësimi në NATO shënon një gur miliar për shqiptarët sepse ata bëhen pjesë e Aleancës- garante të lirisë dhe të drejtës njerëzore, se ata hyjnë në një epokë të re të historisë së tyre me ide, ambicie dhe energji të reja, me besim te vetvetja dhe tek e ardhmja.
 
Në më pak se dy javë nga anëtarësimi në Aleancën e mrekullueshme të sigurisë dhe  lirisë, me të drejtë, ne  duhet ndihemi krenarë për vullnetin politik të paepur dhe përpjekjet e forta për të kryer reforma të guximshme, për të plotësuar kriteret e për të arritur standartet, për të ndryshuar Shqipërinë e imazhin e saj.
 
Mendoj se anëtarësimi ynë në komunitetin transatlantik nuk është aspak dhuratë por është mund, përpjekje, përkushtim nëpërmjet të cilave ne bëmë reforma, reforma, reforma si fjala magjike apo filli i Arianës që hap shtegun për të shkuar ku dëshirojmë.
 
Në më pak se dy javë Shqipëria përshëndetet si anëtare me të drejta të plota e Natos dhe kjo sepse ne ia dolëm të fitojmë vlerësimin e vendeve anëtare të Aleancës se jemi të aftë të bëjmë reforma, të kemi sukses, të realizojmë ndryshim, të mbajmë angazhime dhe të japim kontribute.
 
Ne ia dolëm të fitojmë besimin e tyre se Shqipëria është një bashkëpunëtor e partner serioz dhe luajal në ditë të mirë dhe ditë të vështirë.
 
Dhe vendet anëtare nuk hezituan të admirojnë dinamizmin e shqiptarëve për të bërë ndryshim dhe nuk kursyen ti japin pasaportat kualifikuese Shqipërisë si vend i pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor, ekonomisë së lirisë së tregut.

Si anëtare re e NATO-s në Ballkanin perëndimor Shqipëria bëhet edhe më faktorizuese, edhe më kontribuese në përpjekjet e përbashkëta për të kthyer rajonin tonë më të qëndrueshëm, më të sigurtë, më të paqtë,  sikurse ofron më të mirën e saj për një Evropë më të fortë e të begatë.
 
Unë jam ndier thellësisht me fat dhe e nderuar që kam drejtuar parlamentin në këtë peridhë reformash sfiduese që kanë kërkuar guxim dhe përgjegjshmëri, përpjekje dhe vendosmëri.
 
Reformat që ne ndërmorën janë të guximshme dhe sfiduese sepse i tillë ishte edhe premtimi që u bëmë shqiptarëve Shqipëria në NATO.
 Ne e përmbushëm këtë premtim sikurse u kemi dëshmuar shqiptarëve se ne dimë të mbajmë premtimet tona.
 
Sot ne ndiemi të lumtur se përjetuam një sfidë të lakmueshme dhe jetuam një etapë thelbësorë të rrugëtimit tonë drejt BE dhe institucioneve të saj, por ne ndiemi po kaq të vetëdijshëm se kemi rrugë për të bërë, kemi vështirësi për të kapërcyer, kemi sfida më të forta për të përballuar.

Por kësaj here shqiptarët ndihen më të fortë dhe më të sigurtë të ecin para se janë pjesë e NATO-s të cilën tashmë shqiptarët, me gëzim në shpirt, e kanë pagëzuar si aleancën e mrekullisë së lirisë
 
Në më pak se dy javë, ne shqiptarët ku do që jemi, do të përjetojmë momentin e mrekullisë së jetësimit të një endrre në sirtar të prindërve tanë dhe të ndiemi të shpërblyer në përpjekjet tona dhe të bekuar që ia arritëm të jetojmë këtë moment të rikthimit në Evropën e vullnetit të lirë, të guximit dhe drejtësisë. 
 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›