E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Drejtorin për Evropën të Institutit Ndërkombëtar Republikan, z. Jan Suroçak.

25 mars 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Pallatin e Brigadave, Drejtorin për Evropën të Institutit Ndërkombëtar Republikan, (IRI), Jan Suroçak, i cili ndodhet në vendin tonë në kuadër të një vizite zyrtare.

Duke i uruar mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme dhe të vazhdueshme aleatit tonë më të madh dhe partnerit më të rëndësishëm strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë e institucioneve amerikane në përgjithësi dhe në veçanti të organizatës ndërkombëtare IRI në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, duke mbështetur dhe punuar me partitë politike, institucionet publike për zgjedhje të lira, qeverisje të mirë dhe shtetin e së drejtës.

Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht rolin e rëndësishëm dhe të sukseshëm të z. Suroçak në drejtimet e mëparshme të programeve të financimit për zgjedhjet në disa vende të Evropës dhe shprehu bindjen se Instituti Ndërkombëtar Republikan do të vazhdojë të japë kontribut të rëndësishëm në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009 në vendin tonë, kontribut të cilin e ka shfaqur dukshëm edhe në zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri, me një sërë programesh asistence e projektesh te ndryshme për zhvillimin e demokracisë, konsolidimin e institucioneve të pavarura, etj.

Ndërsa Drejtori për Evropën të Institutit Ndërkombëtar Republikan, Jan Suroçak, duke falënderuar për pritjen e ngrohtë e miqësore, uroi Kreun e shtetit për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe për përparimin e shënuar nga Shqipëria në rrugën e përmbushjes së aspiratave të saj integruese duke u shprehur se Instituti që ai drejton do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt një vendi me demokraci të zhvilluar e të përparuar.

Z. Suroçak, duke prezantuar projektin më të ri të IRI-t në vendin tonë, theksoi se ky projekt do të fokusohet në monitorimin e platformave të partive politike dhe kandidatëve përgjatë fushatës zgjedhore 2009 dhe monitorimin e performancës së partive dhe deputetëve pas zgjedhjeve.

Gjithashtu, z. Suroçak theksoi se projekti do të ketë si synim edhe realizimin e programit për njerëzit me aftësi të kufizuara duke u siguruar atyre akesin e nevojshëm në sistemin politik, me qëllim që platformat dhe programet politike në ndihmë të tyre të përqafohen nga partitë politike përpara zgjedhjeve, si dhe të punohet për axhendën në dobi të tyre me parlamentin e ri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›