Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, z. Mark Mishelsen
Kryeministri Berisha priti sot pasdite në takim Ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës për Shqipërinë, z. Mark Mishelsen, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale për marrjen e detyrës.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi z. Mishelsen për përkrahjen dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE.
Ambasadori Mishelsen e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin për mikpritjen dhe vlerësoi ndryshimet e mëdha, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Samiti I Strasburgut, ku Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s, shënon vërtetë një ngjarje të rëndësishme u shpreh më tej Ambasadori Mishelsen, por ai vlerësoi gjithashtu arritjet dhe progresin e Shqipërisë ne procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Me tej, ambasadori belg i shprehu vlerësimin e tij Kryeministri Berisha per politikat e mira e konstruktive të Shqipërisë në rajon.
Kryeministri Berisha e njohu ambasadorin me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe arritjet e rëndësishme në shumë fusha si, lufta kundër korrupsionit, fushën e financave publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe në krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime, duke e siguruar atë se investitorët belg janë të mirëpritur të vijnë për të eksploruar potencialet e mëdha që vendi ynë ofron.
Ne takim u diskutua gjithashtu mbi procesin e zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në 28 qershor në Shqipëri. Kryeministri e siguroi Ambasadori Mishelsen se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar dhe po bën çdo përpjekje për të garantuar suksesin e tyre si, zgjedhjet më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, të lira e transparente, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare.
25/03/2009