E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: "Shteti ka humbur dy policë, që punonin me besim. Ne të gjithë vlerësojmë maksimalisht sakrificën e tyre."

  Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte sot në Kukës për ti shprehur ngushëllimet në emër të Parlamentit dhe të saj personalisht, familjarëve  të policëve të vrarë mbrëmë, në krye të detyrës, inspektorit Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila.
 
Kryetarja e Kuvendit, e shoqëruar nga deputetë të këtij qarku, kreu vizita në shtëpitë e dy policëve të vrarë, ku shprehu ngushëllimet e sinqerta për këtë humbje të rëndë, jo vetëm për familjet, por për të gjithë policinë dhe opinionin publik shqiptar.
 
Ngjarja që ndodhi mbrëmë është shumë e rëndë jo vetëm për ju, qytetin e Kukësit, por për të gjithë Shqipërinë.
Shteti ka humbur dy policë, djem të rinj, që punonin me besim për shtetin, dhe ne të gjithë vlerësojmë maksimalisht sakrificën e tyre.
Natyrisht kapja e autorit të vrasjes  nuk e lehtëson  dhimbjen, por ju premtoj që shteti do të mendojë për fëmijët e Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila, sepse ata janë fëmijët tanë.
Ne do kujdesemi të gjithë bashkë për fëmijët ; shteti dhe qeveria  do  ju mbështesë për rritjen e tyre- u shpreh  Kryetarja e Kuvendit.
  Familjarët shprehën mirënjohjen e tyre për vizitën e Kryetares së Kuvendit , në këto momente të vështira. Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në homazhet për në banesën e fundit, të policëve të vrarë ,në krye të detyrës.
  Nga Kukësi, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi dhe falenderoi gjithashtu, forcat e rendit për reagimin e menjëhershëm, duke bërë të mundur arrestimin brenda pak orësh, të autorit të kësaj ngjarje të rëndë.
Unë isha e sigurtë se në çfarëdo skute që krimineli të fshihej, ne do ta gjenim atë - u shpreh Kryetarja e Kuvendit.    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›