Kryetarja e Kuvendit bisedon për kujdesin shëndetësor me gratë gjirokastrike në spitalin rajonal. Jozefina Topalli: Do mundësojmë aparatura mamografie në Gjirokastër dhe në qytete të tjera.
Kam kënaqësinë të konstatoj se gratë gjirokastrite i janë përgjigjur thirrjes për kujdes shëndetësor për veten, duke dëshmuar kulturën që kanë zonjat e këtij qyteti, u shpreh Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, ndërsa vizitoi paraditen e sotme spitalin rajonal Omer Nishani në Gjirokastër.
E ardhur në këtë qytet në vijim të turit "Gratë për Gratë", ndalesa e parë e Kryetares së Kuvendit, ishte pikërisht në spitalin rajonal ku është instaluar një klinikë lëvizëse gjinekologjike, e paiisur me aparaturat për ekzaminime laboratorike për parandalim dhe diagnostifikim të sëmundjeve kancerogjene dhe pap-test.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi mjekët për punën e përkushtimin e tyre dhe bisedoi miqësisht me gratë që kishin ardhur për tu ekzaminuar, për kujdesin shëndetësor që ato duhet të kenë për veten dhe familjen.
Kryeparlamentarja premtoi sjelljen e një aparature mamografie për spitalin rajonal të Gjirokastrës duke theksuar se do të konkretizojë fushatën e saj sensibilizuese duke mundësuar aparatura diagnostikuese edhe në qytete të tjera.
Sot jam në Gjirokastër së bashku me koleget e mia, tha Kryetarja e Kuvendit, me idenë për të nxitur dhe sensibilizuar gratë në mbrotje të shëndetit të tyre. Kam kënaqësinë që përveç punës që bën
ky spital ka dhe një projekt
të rëndësishëm, përmes të cilit është mundësuar një njësi lëvizëse e pajisur me të gjitha aparaturat për të bërë analizat e pap-testit. Po ashtu shoh që sapo kanë filluar instalimet e aparaturave të mamografisë.
Konstatoj me kënaqësi që kanë ardhur shumë gra për të bërë analizat që shërbejnë për të parandaluar sëmundjet që në hapat e para dhe në muajin nëntor aparati i mamografisë që do të vijë, do ti japë mundësinë çdo gruaje të bëjë këtë diagnostifikim të rëndësishëm.
Ky është një mesazh që ka gjetur vend tek të gjitha zonjat që unë po takoj në Gjirokastër, për të shprehur kulturën shëndetësore që secila prej ne grave duhet të kemi.
Unë falënderoj Prefekturën e Gjirokastrës dhe Prefekturën e Janinës, që në kuadrin e projektit të Interreg 3 kanë bërë të mundur sjelljen e aparaturave për analizat e mamografisë dhe të analizave të tjera të rëndësishme për shëndetin e grave dhe nënave.