E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit në Gjirokastër: Ftoj çdo grua, zonjë dhe vajzë: Hyni në garë dhe konkurroni për të qenë të suksesshme. Dëshiroj që ju të jeni lidere në Parlamentin e ardhshëm.

 

Unë jam optimiste kur shkoj qytet më qytet dhe shikoj prani të madhe të zonjave dhe vajzave, lidere dhe të suksesshme në profesionet e tyre, në jetë dhe në familje.
Dhe si  politikane kam detyrë për tju bërë ftesë juve, dhe të gjitha grave kudo që janë,  të bëheni pjesë e vendimmarrjes së madhe, theksoi në takimin me gratë gjirokastrite, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në mesazhin e saj tha:

Të dashura, zonja, gra , motra e vajza të Gjirokastrës.

Është takimi im i parë me një pjesëmarrje kaq të gjerë të  grave  të Gjirokastrës dhe ju jam shumë mirënjohëse që takohemi bashkë.
këtu sot.
Unë jam e bindur se secila prej jush ndjehet shumë krenare për këtë qytet të mrekullueshëm,  krenare  për gjeniun e letrave Ismail Kadarenë, krenare  për gjuhëtarin e madh Eqerem Çabej, për intelektualen Musine Kokalari, për këtë qytet me traditë kulturore unikale.
Duke përshkruar me këmbë rrugët e qytetit tuaj , vura re me kënaqësi se kudo shfaqen  shenjat e ringritjes, ringjalljes, e jetës dhe kulturës shumë shekullore.
Në fakt si qytetare dhe si politikane mendoj se të gjithë ndjehemi krenarë, por njëherësh kemi detyrim për një qytet si Gjirokastra.
Nuk do të mjaftonte vetëm përfshirja e qytetit në fondin e trashëgimisë kulturore të UNESKO-s, që është një meritë e juaja, por është dhe një detyrim i yni, ti kthejmë këtij qyteti madhështinë që I takon
Prandaj  ndjehem shumë mirë që kanë ardhur fonde të reja për investime, për të ringjallur qendrën historike të qytetit, traditën dëshmi, i civilizimi juaj të lashtë.
Por më lejoni tju them se sot këtu kam ardhur edhe për tju përcjellë një mesazh të veçantë:
Muaji tetor është shpallur si muaji ndërkombëtar i fushatës  kundër tumorit, ndërkohë që sensibilizimi ynë është dhe për luftën kundër dhunës në familje.
Unë  nuk besoj se mund të përcaktohet një muaj për të patur sensibilizim dhe fushatë për dy fenomene, që janë probleme shumë të mëdha për secilën prej nesh, për secilën prej nënave tona, motrave dhe vajzave shqiptare.
Ishte diçka e jashtëzakonshme, kur  Gruaja e Parë në SHBA , zonja Laura Bush, pak ditë më parë kishte lyer Shtëpinë e Bardhë me ngjyrë rozë, në simbolikë të luftës kundër tumoreve.
Dhe kjo sëmundje nuk ka përcaktim gjeografik. Shqipëria dhe gratë tona nuk i shpëtojnë dot riskut të kësaj sëmundjeje. Nëse ne do të dimë të kalojmë caqet e një mentaliteti, që na ka lënë mbrapa , në qoftë se ne do të bëjmë kujdes për shëndetin tonë, të marrim masa parandaluese, ne do të arrijmë të parandalojmë tumoret si të gjirit ashtu dhe të qafës së mitrës. Nuk ka arsye të kemi ndrojtje për të folur për këto sëmundje, sepse është hapi iI parë për  ti dalë përpara, rreziqeve që paraqesin ato për shëndetin e gruas dhe nënës.
Por unë jam sot këtu për tju përcjellë dhe mesazhin tim kundër dhunës ndaj grave.
Nuk ka gjë më të dhimbshme, kur ne dëgjojmë që thuhet me zë të ulët se sa dhunë ushtrohet mbi gruan, dhunë që nis me britma, por që për fat të keq mbyllet me heshtje, sepse ne mendojmë se kjo është një çështje private dhe nuk thellohemi për të gjykuar që kjo është një çështje publike, për të cilën duhet folur haptazi.
Ne sduhet të na vijë turp për të folur për problemet e shoqërisë sonë
Dhuna familjare nuk ndodh vetëm në qytetet tona, por ndodh në Paris, Nju Jork, Berlin dhe një ndër shkaqet, me të cilat fillon, është pabarazia gjinore.
Kjo është e padrejtë, është antidemokratike e papranueshme.
Ndaj edhe unë shfrytëzoj këtë rast tju bëj thirrje :
Përpiquni të sensibilizoni me zërin tuaj,  të ushtroni ndikimin tuaj, te të gjithë zonjat, të njohurat, fëmijët dhe nxënësit, që dhuna në familje nuk mund të ndalohet me heshtje, nuk mund të mbyllet brenda mureve të shtëpisë . Për këtë duhet folur, duhet reaguar, duhet luftuar .
Unë jam optimiste kur shkoj qytet më qytet dhe shikoj prani të madhe të zonjave dhe vajzave, lidere dhe të suksesshme në profesionet e tyre, në jetë dhe në familje.
Dhe si  politikane kam detyrë për tju bërë ftesë juve, dhe të gjitha grave kudo që janë,  të bëheni pjesë e vendimmarrjes së madhe.
Deri tani kur flitej për gratë,  vendimet për to i merrnin të tjerët.
Mendoj se ka ardhur koha që në vendimmarrjen e madhe, aktore të jenë vetë gratë.
Kush më mirë se ato, dinë të menaxhojnë buxhetet familjare, jetën e përditshme, fëmijët dhe të ardhmen e tyre !
E përse ato, nuk duhet të jenë në vendin ku është përfaqësimi më i lartë, në Kuvendin e Shqipërisë!
Me ligjin e ri të barazisë gjinore, ju do kenë një shans më shumë në përfaqësim. Kodi i ri elektoral do të jetë një garanci në përfaqësimin tuaj.
Dhe ftesa ime  është që gratë  në politikë, të mos hynë në mënyrë artificiale dhe të mos e marrin këtë ftesë si dhuratë.
Unë ftoj çdo grua, zonjë dhe vajzë  që ato të hynë në garë dhe të konkurrojnë për të qenë të suksesshme.
Unë dëshiroj që shumë gra të jenë lidere në Parlamentin e ardhshëm.
Duke ju falënderuar sërish për pritjen tuaj mbresëlënëse, ju bëj dhe një herë thirrje, që të bëni kujdes për shëndetin tuaj, të shkoni të bëni kontrolle në mbrojtje të shëndetit tuaj, në mbrojtje të jetës dhe fëmijëve tuaj.
 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›