E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit fton të rinjtë: Bëhuni pjesë e fushatës për një Shqipëri pa dhunë. Të edukojmë paqen! Edukimi kundër dhunës, nis nga edukimi pa dhunë.

  Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në seancën e jashtëzakonshme me të rinjtë e kryeqytetit të mbledhur në sallën e seancave plenare në Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës.
Kam kënaqësinë tju uroj përzemërsisht mirëseardhjen e në mënyrë të veçantë fëmijëve. Ju faleminderit, që keni ardhur për tu bërë pjesë dhe për ta pasuruar me hovin e moshës, më dlirësinë e shpirtit tuaj, fushatën tonë kundër dhunës në familje.   Unë jam e ndërgjegjshme që është e rëndë për çdo fëmijë përballja me format e dhunës, siç jam po kaq e ndërgjegjshme se, fatkeqësisht ajo ekziston, larg kamerave ose përballë tyre; herë e mbyllur në hapësirat tona familjare, të cilat shndrrohen në hapësira të dhunës, kur babai dhunon nënën, e nëna   e dhunuar i transmeton  fëmijës vizionin e saj tradicional për jetën: Vuajtjen në heshtje Herë në rrugë, ku një prind përbindësh detyron fëmijën të lypë, e të braktisë shkollën .   Herë në ambjentet shkollore, ku mësuesi I pamerituar, rreh ose fyen një nxënës, apo kur një shok godet një shoqe e ndoshta edhe më keq se kaq .   Për të mos qenë një dëshmitare e heshtur e gjithë kësaj dhimbjeje, krahas të gjitha detyrimeve që me njeh qënia  si  deputete e kryeparlamentare për të bërë ligje që e ndalojnë këtë dhunë, që prej një viti  jam angazhuar në mobilizimin e opinionit publik,  duke e shndërruar  këtë temë në një prioritet politik të axhendës sime.   Kam shkuar në Korçë, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Elbasan, Fier, ku kam ftuar të  gjitha gratë të mos pranojnë dhunën me heshtje, sepse kështu ajo vret sërish. Kam ftuar gratë të reagojnë ndaj saj. Kam inkurajuar që strukturat e ngritura  me bazë ligjin kundër dhunës në familje të jenë të mobilizuara për të dënuar dhunuesit.    E shifrat  në një analizë një vjeçare flasin se ato po reagojnë,  612 gra denoncuan dhunuesit e tyre këtë vit pranë organeve kompetente gjë që skishtë ndodhur kurrë më parë   Të dashur fëmijë,
Kjo ishte faza e parë e një inisiative ndërgjegjësuese kundër dhunës. Sot ju kam ftuar këtu, që së bashku të nisim një tjetër fazë të saj, jo thjesht atë të mospranimit të dhunës me  heshtje, por të edukimit të një shoqërie pa dhunë, të ndërtimit të një bote në të cilën të gjithë fëmijët mund të jetojnë në siguri dhe me dinjitet me prindërit, mësuesit  e shokët e tyre.   Edukimi është në zemër të  ndërtimit të paqes. Edukimi për paqen, të drejtat e njeriut, demokracinë ndihmon në formimin e fëmijëve e të rinjve me sjellje të orientuara nga dialogu e jo dhuna, ndihmon në rritje të brezave me vlerat e tolerancës, hapjes ndaj tjetrit, ndarjes së mendimeve në mënyrë paqësore.   Unë do të ftoja çdo shqiptar të vëmë një tullë në murin e formimit të një kulture  të jo dhunës  në përfitim të fëmijëve tanë. Dhuna nuk duhet të jetë më pjesë e mendësisë sonë, e sjelljes sonë. Qytetërimet konsolidohen duke reduktuar dhunën. Në rrugëtimin tonë drejt përsosjes së demokracise cilido nga ne, në cilindo pozicion që jemi duhet të kontribuojmë për të edukuar jo dhunën, edukimi kundër saj, nis nga edukimi pa dhunë.   Vetëm ideologjitë antidemokratike justifikojnë dhunën
Nga kjo sallë dua tu dërgoj një mesazh të gjithë prindërve.Ne vijmë nga një e djeshme ku  dhuna sundonte njeriun dhe hapësirën. Kjo është eksperienca negative që përjetuam.    Unë  e di që dëshira  e secilit prej nesh  është që  fëmijët tanë  të rriten ndryshe, por ju ftoj që në betejën  tuaj  për të përmirësuar kushtet e jetesës për fëmijët  tuaj, gjë që sigurisht nuk është gjithmonë e lehtë, të mos përdorim dhunën.   Asgjë nuk e justifikon dhunën, e aq më tepër atë kundrejt fëmijëve. Ajo është e pajustifikuar dhe e papranueshme në cilindo kusht.   Fazat më ekstreme të dhunës ndaj  gruas e ndaj fëmijëve; shfrytëzimi i punës, largimi nga shkolla për shkak të gjinisë duhet të ngjallin neveri dhe ne duhet ta ndëshkojmë në mënyrë unanime  me një zë te gjithë:   Dhunës Jo!    Të dashur fëmijë, Unë ju ftoj juve sot të ndërmerrni një aksion të ri, të bëheni pjesë e një fushatë për një Shqipëri pa dhunë.   Ta nisim  nga gjërat më të thjeshta të mos shajmë , të mos fyejmë, të mos ngremë dorën, të mos prekim armën. Të respektojmë nënën, ta duam motren, ta çmojmë shoqen. Gjinia nuk është vlerë, ajo stë jep prioritet.   Dashuri dhe jo dhunë, ky është aksioni ku unë ftoj sot të gjithë të rinjtë, optimizmi i të cilëve tek  e nesërmja është më i madh se i çdokujt tjetër.   Dhe një e nesërme ku respektohen vlerat e barazisë, demokracisë dhe të jo dhunës, besomëni është shumë më e bukur.   Ju faleminderit!      
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›