E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit me nënat dhe gratë e Krujës: Nëna , mbretëresha e zemrës.

  Me qindra gra e vajza të Krujës kanë pritur sot në një atmosfërë të ngrohtë Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli. Në turin e saj Gratë për fitoren, Kryeparlamentarja tha se vizita në qytetin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, është e veçantë, dhe ftoi të gjitha gratë së bashku, të vazhdojnë projektin e Shqipërisë që ndryshon!
Kryetarja e Kuvendit mes të tjerave, tha:   Buzëqeshja tek gratë është një dritare në fytyrën e saj që tregon se zemra është në shtëpi. Ajo që ndryshon jetën është gruaja. Ajo që ndryshon familjen është gruaja. Ajo që ndryshon çdo gjë është gruaja. Jo më kot thonë se baballarët mund të jenë të majtë apo të djathtë, kurse nënat janë gjithmonë demokrate.Ne, gratë më mirë se kushdo tjetër e dimë se fuqia e një kombi qëndron tek integriteti i shtëpisë.
Ne, gratë kemi një filozofi të thjeshtë: Mos prit derisa çdo gjë të jetë në rregull. Asnjëherë sdo të jetë perfekt, e përkryer. Gjithmonë do të ketë sfida, pengesa dhe aq më pak kushte perfekte. Dhe atëhere? Mos rri, ngrihu. Fillo tani. Në çdo hap që hedh do bëhesh gjithnjë edhe më e fuqishme, gjithnjë e më e aftë, gjithnjë e më vetëbesuese dhe gjithnjë e më e suksesshme.
Prandaj, unë dua të shfrytëzoj edhe këtë rast për të ftuar çdo grua të bëjë kujdes për shëndetin e saj, të parandalojë sëmundjet e shekullit.
Të shkojë e të bëjë mamografinë e pap-testin. Që ti shërbeni më mirë fëmijës, së pari ju duhet të jeni gra e nëna të shëndetshme.
Unë sot dua ta përsëris se lufta kundër kancerit është prioriteti ynë. Në mandatin e ardhshëm lufta kundër kancerit do jetë edhe më e madhe. Unë dua ta kthej në një kryqëzatë. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë. Ne duhet ta fitojmë jetën.
Por, po ashtu kam parë dhe kam njohur gra që janë të vetme dhe e përballojnë jetën e rrisin fëmijët përmes sakrificave e një kurajoje që vetëm dashuria për fëmijët mund ta mbajë. Dua ti them secilës, unë dua të jem pas çdonjërës prej jush, dua të jem mbrojtësja juaj. Dua të jem avokatja juaj.
Unë sot ftoj gratë e Krujës, ftoj të gjitha gratë, bashkohuni me ne, ejani me ne.
Njeriu nuk mund të ecë përpara duke qëndruar anash, duke u qarë e duke u ankuar, siç bën ndonjë burrë. Njeriu mund të ecë përpara vetëm duke guxuar.
Gratë janë të guximshme. Ato kanë kurajo. Kurajoja jo gjithmonë ulëret. Ndonjëherë kurajoja është zëri i qetë që në fund të ditës thotë: Do të përpiqem edhe një herë nesër.
Asnjeri nuk duhet të negociojë (të bëjë pazare) me ëndrrat tona. Endrrat duhet të jenë të lira të largohen dhe të fluturojnë lart. Asnjë nuk ka të drejtë të kufizojë ëndrrat tuaja. Asnjëherë nuk duhet të hiqni dorë nga ëndrrat tuaja. Unë ju ftoj ju zonja që jeni këtu, ftoj të gjitha zonjat e Krujës, ftoj gratë, vajzat, bijat në të gjithë Shqipërinë që, së bashku, të vazhdojmë projektin tonë të Shqipërisë që ndryshon!
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›