E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pret Reporterin e OSBE-së, deputetin zvicerian Christian Miesch.Miesch: Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri ishin më transparente se në çdo vend tjetër europian.

  Raporteri i OSBE-së, deputeti zvicerian Christian Miesch tha sot se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri ishin më transparente se në çdo vend tjetër europian. Këtë deklaratë zoti Miesch e bëri gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.   Duke falënderuar zotin Miesch dhe të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë për punën e tyrë të jashtëzakonshme gjatë zgjedhjeve, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë se synimi për arritjen e standardeve zgjedhore u realizua.   Ajo tha se i gjithë kuadri zgjedhor, përfshirë kodin, ndërtimin  e KQZ-së, regjistrin e zgjedhësve, kartat e identitetit, transparencën në numërim ishin standarde të arritura për herë të parë në Shqipëri e që bënë që këto zgjedhje të ishin më të mirat e realizuara ndonjëherë.   Kryetarja e Kuvendit vlerësoi raportin e fundit të përfaqësuesit të OSBE-së Boch ku theksohej se zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Po ashtu ishte shumë inkurajues vlerësimi i raportit se pretendimet për parregullsi  në lista, për mosshperndarje të kartave të identitetit apo për njerëz të liruar për shkak të fushatës, ishin të pabazuara.   Zoti Miesch theksoi se së bashku me vëzhguesit e tjerë ndoqëm nga afër çdo proces, vëzhguam ditën e votimit, ishim dëshmitarë në procesin transparent të numërimit të votave, ndoqëm deklarat e subjekteve politike ditën e zgjedhjeve dhe vlerësimi ynë u pasqyrua në raportin final, ku u theksua se zgjedhjet arritën angazhimet kryesore të OSBE-së.   Edhe në vende me demokraci më të vjetër si  në Zvicër, tha ai, ka ende probleme teknike në zgjedhje, por kjo nuk e cënon legjitimitetin  e tyre.   Duke folur rreth Asamblesë së OSBE-së së mbajtur në Athinë pak javë më parë Zoti Miesch, nënvizoi se Presidenti i asamblesë parlamentare të OSBE-së Soares e konsideroi një sukses misionin e OSBE-së në zgjedhjet në Shqipëri.   Duke u ndalur në situatën aktuale politike, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në parlament ku, siç theksoi ajo është vendi i dialogut dhe i kompromiseve.   Nga ana e tij raporteri Miesch theksoi se bojkoti nuk është zgjidhje.   Kryetarja e Kuvendit tha se shumë reforma të rëndësishme, veçanërisht përsa i përket sistemit të drejtësisë dhe ligjeve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave kërkojnë praninë e opozitës, ndaj dhe ftesa që deputetët të vijnë në parlament është gjithnjë e hapur.        
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›