Kryetarja e Kuvendit takon një përfaqësi të Koalicionit në përkrahje të Gjykatës Administrative.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot një përfaqësi të Koalicionit në përkrahje të Gjykatës Administrative, në përbërje të të cilit janë rreth 35 organizata biznesi.
Drejtuesit e Dhomës së Tregëtisë së Tiranës, së Dhomës amerikane të tregëtisë, Dhomës britanike, të Konfindustrias dhe biznesit të vogël diskutuan për përpjekjet e tyre për miratimin sa më parë në parlament të ligjit për Gjykatën Administrative.
Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm këtë ligj, Kryetarja e Kuvendit shprehu jo vetëm mbështetjen ndaj këtij ligji, por ajo tha se ky ligj është në rend të ditës së punës së parlamentit dhe do të votohet në momentin e parë që konfigurimi i parlamentit të plotësohet, pasi për këtë ligj kërkohen tre të pestat e votave.
Përfaqësuesit e Koalicionit, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky ligj kërkon një shumicë të cilësuar shprehën shqetësimin e tyre për pamundësinë e miratimit të këtij ligji, të cilin e cilësuan si një ligj thelbësor të reformës në drejtësi dhe një ligj nga i cili nuk përfitojnë vetëm bizneset, por të gjithë qytetarët.
Duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një Gjykatë Administrative, përfaqësuesit e Koalicionit thanë se ngritja e kësaj gjykate do të përmirësojë ndjeshëm edhe klimën e biznesit në Shqipëri e do të nxisë më tej investimet e huaja.
Kryetarja e Kuvendit, duke e cilësuar këtë ligj si produkt i një procesi serioz, tha se është në interes të parlamentit miratimi i tij sa më parë, duke u garantuar përfaqësuesve të Koalicionit përkrahjen e saj jo vetëm për këtë ligj por për çdo inisiativë që ndikon në përmirësimin e kushteve për biznesin dhe sigurinë e investimeve vendase dhe të huaja.