Kryetarja e Kuvendit takohet me Kryetarin e Parlamentit të Norvegjisë. Jagland.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Norvegji u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland.
Zoti Jagland i uroi përzemërsisht mirëseardhjen Kryetares së Kuvendit, e cila mori pjesë dhe mbajti fjalë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s për herë të parë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Alenacën e Veriut.
Kam mbetur shumë i impresionuar nga vizita ime e para pak kohëve në Shqipëri, tha zoti Jagland. Unë ju falenderoj për mikpritjen që më bëtë mua dhe delegacionit norvegjez në Tiranë. Në Shqipëri gjeta një vend me potenciale të jashtëzakonshme, një vend që po zhvillohet me dinamizëm dhe me nje klimë shumë të favorshme për investime.
Ejani dhe investoni në Shqipëri, tha Kryetarja e Kuvendit. Ne mirëpresim investimet norvegjeze në fushën e energjisë por edhe bashkëpunim më të gjerë ekonomik.
Norvegjia është furnizuesi kryesor i gazit në Europë dhe një nga vendet me potencialin më të madh përsa I përket energjisë dhe bashkë me Suedinë bëjnë pjesë në vendet nordike me standardet më të larta ekonomike.
Temë e veçantë e bisedës ishte edhe liberalizimi i vizave.
Zoti Jagland theksoi mbështetjen e vendit të tij për këtë çështje dhe garantoi influencën në vendet e tjera të grupit të vendeve nordike si Suedisë, e cila merr presidencën e rradhës së BE-së në Korrik të këtij viti.
Biseda më tej u fokusua edhe në sfidat e ardhshme të Alencës së Atlantikut të Veriut dhe rolin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në përballjen e këtyre sfidave.
Zoti Jagland theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe afrimi me Bashkimin Europian janë tregues i një zhvillimi të shpejtë të Shqipërisë dhe ndikojnë në mënyrë të dukshme edhe në stabilitetin rajonal.