E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Francës, Bernard Accoyer.

    Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u prit në France nga dy personalitetet më të larta të vendit, pas Presidentit të Republikës së Francës, Nikola Sarkozy.   Vizita zyrtare e Kryetares së Kuvendit, në Francë nisi me ftesën për të marrë pjesë në seancën parlamentare ku Kryetari i Asamblesë Kombëtare Bernard Accoyer njoftoi deputetët për vizitën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe në emër të tyre i uroi mirëseardhjen. Nën duartrokitjet e deputetëve dhe kabinetit qeveritar të pranishëm, ai u shpreh se ndihej i lumtur dhe i nderuar që priste homologen shqiptare në Paris.   Menjëherë pas seancës plenare, duke kaluar përmes ceremonialit tradicional të nderimit në Asamblenë Kombëtare, Kryetarja e Kuvendit, shoqëruar nga deputeti socialist Ben Blushi, u prit nga Kryetari i kësaj Asambleje Accoyer.   Zoti Accoyer vlerësoi rolin e zonjës Topalli për dinamizimin e marrëdhënieve mes dy parlamenteve në interes të bashkëpunimit më  të ngushtë mes dy vendeve. Ai i konfirmoi Kryetares Topalli angazhimin e tij për të përshpejtuar procedurën e Ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga kjo Asamble.   Kjo çëshje ishte edhe një ndër temat kryesore ku u përqendrua biseda edhe në takimin me nënkryetarin e Asamblesë Kombëtare Marc Lafiner, të cilit i takoi të ishte drejtues i seancës ku u votua MSA-ja Shqipëri-BE.   Unë jam i kënaqur tju them se Ratifikimi i MSA-së Shqipëri BE, në unanimitet nga deputetët francezë, ishte shprehje e vlerësimit për progresin e bërë nga Shqipëria dhe vullnetit të saj politik për të vijuar me reformat.
Temë e bisedës ishte edhe situata në rajon veçanërisht në përpjekjet e Republikës së  Kosovës në përballjen e sfidave të një shteti të ri.   Ata ndanë mendimin se Kosova duhet të njihet sa më parë edhe nga vende të tjera dhe se misioni EULEX duhet të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës dhe në bashkëpunim me autoritetet e këtij shteti të përmbushë rolin e tij.   Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për Francën dhe veçanërisht për  Presidentin Sarkozy për mbështetjen e finalizimit të statusit të Kosovës dhe ndërtimin e shtetit më të ri në botë.
Në përfundim të takimit, të pyetur nga mediat zoti Lafiner dhe zonja Topalli shprehën sërish angazhimin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e vizitave në të gjitha nivelet. Duke iu përgjigjur ftesës së Kryetares së Kuvendit, Nënkryetari Lafiner  u shpreh se do të vizitojë Shqipërinë në tre muajt e ardhshëm.
Pyetje - Kur pritet te miratohet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO? Nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Marc Lafiner- Menjëherë. Sapo qeveria franceze të sjellë këtë Protokoll në Asamblenë Kombëtare, ne do të veprojmë në mënyrën më të shpejtë, sikundër ndodhi me Ratifikimin e MSA-së që u miratua pak ditë më parë. Madje isha unë që e drejtova këtë seancë dhe isha shumë i lumtur që më takoi ta bëja, duke menduar për ju atë moment dhe vizitën tuaj të pritshme.   Pyetje - Megjjithatë, vizita e vetme e nivelit të lartë është ajo e zonjës Topalli në Francë, ndërsa autoritetet më të larta franceze nuk kanë ardhur kurrë. Si e shpjegoni, është mungesë vëmendjeje ndaj Shqiperisë? Nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Marc Lafiner- Jo, aspak. Nuk ka mungesë vëmendjeje të Francës ndaj Shqipërisë. Franca është një mike e Shqipërisë. Franca i është gjendur pranë Shqipërisë për zhvillimin e saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë gjithmonë këtë gjë. Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm në gjirin e Europës dhe Europa ka nevojë për të gjithë. Ne kemi marrëveshje të përbashkëta dhe ne kemi një të ardhme të përbashkët në Europë. Ne do të jemi gjithmonë pranë Shqipërisë.   Pyetje- A mendoni se zhvillimet politike, ekonomike dhe ecuria e reformave në Shqipëri po justifikojnë mbështetjen që Franca po i jep Shqipërisë?   Nënkryetari i Asamblesë Kombëtare Marc Lafiner- Absoluisht po. Ne jemi të ndërgjegjshëm se përpjekjet që po bënë Shqipëria janë përpjekje shumë të rëndësishme, që janë realizuar reforma, që i lejojnë asaj të ketë një demokraci  funksionale, një zhvillim më të mirë ekonomik, me shumë liri për qytetarët e saj. Kjo tregon se Shqipëria dëshmon vullnet politik, që punon për integrimin europian dhe ne jemi shumë të kënaqur për këtë brenda tre muajve unë do e vizitoj vetë Shqipërinë.   Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli - Ne jemi shumë të nderuar që u pritëm nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare, si dhe nga nënkryetari i saj dhe patëm një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet midis vendeve tona. Franca që është një vend mik i fuqishëm i Shqipërisë është dhe një vend kryesor mbështetës i proceseve integruese. Në fushën politike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ne rajon  ka një kontribut shumë të vlerësuar nga të gjithë ne.   Pata rastin për të falënderuar Asamblenë Kombëtare, Kryetarin, nënkryetarin dhe deputetët e tjerë që kemi takuar për faktin se në unanimitet të plotë, vetëm dhjetë ditë më parë, Asambleja votoi marrëveshjen e stabilizim asocimit. Tani pritet që të futet në një axhendë shumë të shpejtë protokolli i NATO-s, që bën të mundur që vitin e ardhshëm, me rastin e 60 vjetorit të NATO-s, pikërisht këtu në Francë në Strasburg,  Shqipëria bashkë me Kroacinë të bëhet anëtare me të drejta të plota. I transmetova drejtuesëve të Asamblesë Kombëtare dëshirën e madhe të shqiptareve për të patur në Shqipëri presidentin Nicola Sarkozy në një moment kur tia lejojë axhenda.   Deri tani asnjë president francez nuk e ka vizituar vendin dhe besoj se shqiptarët do të ishin të lumtur dhe të nderuar ti uronin mirëseardhjen një presidenti francez. Gjithësesi mbështetja që kam gjetur në Francë është nje inkurajim i madh për të vazhduar më tej me reformat. 
                                 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›