Kryetarja e Kuvendit takon Ministrin e Jashtëm të Hungarisë. Balazs: Mbështesim lëvizjen e lirë dhe një progres sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.
Ministri i Puneve të Jashtme të Hungarisë, Peter Balazs konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për lëvizjen e lirë, por edhe për një progres sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE.
Në takimin me Kyetaren e Kuvendit, ai tha se vlerëson përpjekjet e Parlamentit dhe institucioneve shqiptare për demokraci e shtet ligjor.
Kryetarja e Kuvendit tha se për Shqipërinë, Hungaria, është jo vetem një vend mik, anëtar i BE-së dhe NATO-s, por edhe një vend që ka ndërmarrë një rol aktiv për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Parlamenti hungarez ishte i pari që votoi protokollin e antarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për Kryetaren e Kuvendit mbetet shumë e vyer ndihma dhe mbështetja e pakursyer deri në integrimin e plotë në strukturat e Aleancës e në vijim.
Ajo vlerësoi edhe konferencat e shpeshta rajonale të zhvilluara në Hungari, në mbështetjen të integrimit Euro-Atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi veprimtaritë e grupeve parlamentare të miqësisë mes dy vendeve tona, që ka ndikuar pozitivisht në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar. Parlamenti Hungarez është kthyer si një shtëpi e dytë për ne, për deputetët por dhe administratën tonë në shkëmbimin e përvojës, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendt tha se, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që u çertifikuan ndërkombëtarisht si më të mirat e që përmbushën standardet, Shqipëria ndodhet në një fazë të re. Presim opinionin e KE-së për statusin e vendit kandidat në BE si dhe heqjen e vizave brenda një kohë të shkurtër.
Në fazën ku nga ana jonë janë përmbushur detyrimet për heqjen e vizave, ne besojmë fort te mbështetja e vendeve mike si Hungaria për finalizimin sa më shpejt të kësaj ambicjeje.
Parlamenti, tha Kryetarja e Kuvendit ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme që lidhen me heqjen e vizave por edhe me afrimin me BE-në, paralelisht duke lobuar përmes diplomacisë parlamentare.
Ministri Balazs tha se Hungaria është e gatshme që të jetë krah Shqipërisë me ekspertizën e saj për përshpejtim të proceseve integruese.
Mbështetja e Hungarisë për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e Shqipërisë në BE, veçanërisht gjatë këtyre 18 muajve, kur Hungaria është pjesë e troikës presidenciale të BE-së, së bashku me Spanjën dhe Belgjikën, për të marrë kryesinë e saj në janar të 2011, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë.