E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe miraton disa ligje të rëndësishme.

Kuvendi u mblodh sot në seancë plenare, datë 25.03.2010, në drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe diskutoi dhe miratoi disa ligje të rëndësishme, si ligji Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Konferencës së Hagës, Për marrjen e provave jashtë shtetit në çështjet civile ose tregtare.
"Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane, të viteve 1940-1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë".
Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8752, datë 26.3.2001 Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës. Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.119, datë 23.04.2009 Për planifikimin e territorit. Deputetët miratuan procesverbalin e seancës plenare datë 11.03.20, procesverbalin e seancës plenare datë 18.03.2010. si dhe kalendarin tre javor (22 mars - 8 prill 2010)
Jashtë rendit të ditës, deputetët e mazhorancës u përqëndruan në diskutimet e tyre në plotësimin e standarteve për heqjen e vizave, bojkotin e opozitës, si dhe probleme të ndryshme të zonave elektorale. Në emër të Partisë Socialiste, deputeti Namik Dokle tha se Partia Socialiste refuzon kategorikisht pjesëmarrjen në komisionin hetimor, duke e cilësuar të njëanshëm, për transparencën e zgjedhjeve.
Pas fjalës së zotit Dokle, opozita u largua nga salla e seancave. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi u shpreh, se me miratimin e komisionit hetimor dhe me ofertën e angazhimit të 100 prokurorëve në hetimin e zgjedhjeve, mazhoranca tregoi se ka të gjithë vullnetin politik për transparencën e tyre. Opozita po i humb sensin misionit të politikës dhe aq më tepër misionit të deputetit- tha zoti Patozi. Ndërkohë Kryetarja e Kuvendit njoftoi deputetët se "gjatë takimit me Presidentin për Komisionin për Ballkanin në PE, Eduart Kukan dhe përfaqësues të tjerë u ra dakord të niset lista e plotësuar edhe me emrat e deputetëve socialistë, të Komitetit për Stabilizim-Asociimin pranë Parlamentit Europian.
Si Parlament plotësojmë detyrimin tonë për plotësimin e Komitetit të Stabilizim- Asociimit në Parlamentin Europian- tha Kryetarja e Kuvendit
Kryetarja Jozefina Topalli lexoi emrat e të gjithë anëtarëve të këtij komiteti që do të ketë bashkëpunim me Parlamentin Europian, ku nënkryetari do të jetë një përfaqësues I Partisë Socialiste. Seanca plenare mbylli punimet në orën 20.00

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›