Kryetarja e Kuvendit takon Rene Van Der Linden. Van Der Linden: NATO, arritje e mrekullueshme e Shqipërisë
Ish Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. njëri prej personaliteteve më të njohura në Shqipëri dhe në politikën europiane, Rene Van Der Linden i përcolli sot urimet e tij Kryetares së Kuvendit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Si një prej politikanëve europianë që ka ndjekur nga afër hapat e bëra nga Shqipëria në rugën drejt anëtarësimit Euro-Atlantik, zoti Van Der Linden shprehu kënaqësinë e tij për këtë ngjarje të madhe dhe për zhvillimet pozitive të Shqipërisë.
Më vjen veçanërisht mirë, për këtë arritje të mrekullueshme të Shqipërisë theksoi ai, duke shtuar se anëtarësimi në NATO është rezultat i një pune të madhe dhe të suksesshme.
Përgëzimet e bëra nga ju janë shumë domethënëse, tha Kryetarja e Kuvendit, pasi ju jeni pjesë e rrugës sonë integruese. Ju e dini se pak vite më parë jo shumëkush e besonte se ne do të arrinim në një kohë të shkurtër të bëheshim anëtarë të NATO-s dhe të ecnim me ritme të shpejta drejt BE-së. Kemi bërë reforma të mëdha dhe do të vijojmë të transformojmë Shqipërinë.
Zoti Van Der Linden një personalitet me influencë në skenën politike europiane, aktualisht edhe senator në Senatin e Hollandës, ofroi gadishëmrinë e tij në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve në aspiratat e tyre për tu integruar në strukturat europiane, për të lëvizur të lirë e për të gjetur vendin e tyre krah kombeve të lira.