E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Presidentit Topi në ceremoninë e betimit të gjyqtarëve magjistratë.

9 prill 2009

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në ceremoninë e betimit të gjyqtarëve magjistratë të zhvilluar në ambientet e KLD-së.

Duke përshëndetur gjyqtarët e rinj, Kreu i shtetit shqiptar iu drejtua të pranishmëve me këtë fjalë:

Përshëndetje!
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
Të nderuar gjyqtarë,
Të nderuar përfaqësues të misioneve që keni dhënë një ndihmë dhe kontribut të çmuar, duke asistuar në reformimin e sistemit të drejtësisë,
Të nderuar magjistratë të rinj,

Ky është një çast mjaft solemn, shumë domethënës, i cili realizohet për herë të parë në mjediset e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, natyrisht, mbi bazën e ligjit , që i jep kësaj ceremonie një kuptim të dyfishtë: solemnitetin dhe substancën e këtij procesi kaq të rëndësishëm, që ka të bëjë me funksionimin e sistemit të drejtësisë mbi bazën e standardeve të shtetit ligjor, mbi bazën e atyre standardeve që ne kërkojmë çdo ditë t’i arrijmë, çka do të thotë të shteteve ku ne kërkojmë çdo ditë t’i arrijmë; çka do të thotë standardet e shteteve ku kërkojmë të aderojmë.

Më lejoni të ndaj me ju kënaqësinë e veçantë që jep kjo praktikë e re në vazhdën e iniciativave integruese që shteti shqiptar po demonstron në arenën ndërkombëtare, të demonstrojmë edhe një herë që sistemi i drejtësisë po operon me mjaft motivacion, me mjaft përkushtim, me mjaft profesionalizëm. Besoj se të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që çdo ditë e më shumë ne po vëmë jo vetëm interpretë të asaj që kërkojnë qytetarët, por të gjithë së bashku, pa përjashtim, po punojmë që të reformojmë jo vetëm legjislacionin, por të reformojmë e të rinovojmë të gjithë drejtimin e strukturat e sistemit të drejtësisë. Kjo, në mënyrë absolute nuk nënkupton një rinovim duke pasur parasysh heqjen e përvojës; përkundrazi, shteti ligjor ka nevojë për të gjithë. Ai ka nevojë për përvojë, na nevojë për integritet të gjyqtarëve, sepse janë ata që do të vazhdojnë karrierën e tyre, po ka nevojë edhe për gjak të ri, për magjistratë të rinj.

Në këtë proces integrimi, ky Këshill jep falënderime të veçanta për kontributin e vazhdueshëm të të gjithë ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë mjaft profesionistë, mjaft bashkëpunues gjatë gjithë periudhës kalimtare shqiptare dhe vazhdojnë ta japin akoma këtë kontribut. Ata kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve të mëdha, që kanë pasur të bëjnë me reformat e mëdha politike e legjislative që kanë ndodhur në shtetin shqiptar. Nga ana tjetër, kanë qenë mjaft të kujdesshëm për t’i dhënë mbështetje procesit të rinovimit dhe përmirësimit të punës në sistemin gjyqësor; gjithashtu, kanë qenë mbështetje shumë e rëndësishme për t’u dhënë kurajë gjyqtarëve, sistemit gjyqësor, në mënyrë që ky sistem, gradualisht, të fitojë autonominë mbi bazën e asaj që jep Kushtetuta dhe ligji, në mënyrë që ky pushtet të jetë i pavarur nga politika, nga të gjitha varësitë e tipit korruptiv, duke ditur të bashkëpunojë ngushtë me politikën shqiptare, me legjislativin, me të gjitha strukturat dhe hallkat e sistemit gjyqësor dhe të dijë të demonstrojë në publik se është një strukturë që i jep besim qytetarit në të gjitha hallet e tij.

Me dëshirën për të ripohuar vullnetin e plotë në ruajtjen dhe respektimin e balancave të pushteteve, por edhe në përmbushje të çdo lloj përgjegjësie që vjen nga Kushtetuta më lejoni, gjithashtu, të shpreh angazhimin tim maksimal në drejtimin e këtij organi qeverisës të gjyqësorit.

Të nderuar gjyqtarë të pranishëm,

Në asnjë çast mos e konsideroni këtë ceremoni të fillimit [të veprimtarisë suaj gjyqësore si thjesht “simbolike”. Ekzekutimi që ligji kërkon është tregues i përkushtimit dhe integritetit tuaj në detyrë, është formula që ju vendos juve të parët në petkun e misionarëve të drejtësisë, për të cilën, sikurse ne e pretendojmë, duhet të jetë e hapur dhe, në mënyrë absolute jo e mbyllur në interesin tuaj, por në atë të shoqërisë e të çdo qytetari të thjeshtë.

Përkushtimi ndaj së drejtës është pakti i individit me ndërgjegjen e tij, që nuk ka nevojë për ton ceremonial; përkundrazi përkushtimi ndaj së drejtës dhe ligjit në disa sektorë strategjikë të funksionimit të shtetit, sikurse është drejtësia, është pakti i pakthyeshëm i individit si me ndërgjegjen e vet, ashtu dhe me shoqërinë, së cilës ai i shërben. Për shkak të këtij ndikimi të gjerë përkushtimi juaj është i veshur me solemnitet.

Betimi juaj për besnikëri ndaj Kushtetutës sot është premtimi publik që u jepni të gjithëve në zbatim të ligjit ndaj tyre nesër. Ju jeni, pa diskutim, pjesë e elitës së strukturave të shtetit të së drejtës, e cila nderohet, por sigurisht që ju duhet ta meritoni. Jam i bindur se ju do t’i përkushtoheni kësaj pune dhe, me siguri, do t’i meritoni falënderimet e qytetarëve që do t’u shërbeni. Natyrisht, që juve duhet t’ju dëgjohet fjala; ajo duhet të jetë bindëse.

Është rasti më i mirë për t’i shprehur një falënderim të veçantë Shkollës së Magjistraturës, që prej 13 vjetësh ka përgatitur gjyqtarë të rinj mbi bazën e kurikulumeve bashkëkohore, mbi bazën e standardeve! Sot ne kemi gjyqtarë, të cilët kanë filluar karrierën me shumë sukses të formuar profesionalisht në këtë shkollë. Ky ka qenë një mision mjaft i rëndësishëm nën kujdesin e Këshillit të Evropës; pa dyshim, ka justifikuar të gjitha pritshmëritë që ne kemi pasur për rritjen e profesionalizmit në sistemin gjyqësor. Ky mirëbesim kërkon që ju të merrni përgjegjësitë e duhura dhe t’i justifikoni.

Po thuaj një e treta e të gjithë gjyqtarëve në gjykata dhe rrethe gjyqësore kanë titullin “Magjistratë” dhe sipas standardit aktual ligjor 90 për qind e gjyqtarëve të rinj në sistemin gjyqësor vjen nga kjo shkollë. Këto janë fakte që tregojnë se sistemi ynë gjyqësor gjatë këtyre viteve po rigjenerohet me ritmin e duhur. Kjo tregon për një marrëdhënie shumë të lartë mirëbesimi që shteti i ka dhënë këtij formimi profesional dhe, pa dyshim ky mirëbesim kërkon që ju të merrni përgjegjësitë e duhura dhe ta justifikoni.

Të nderuar gjyqtarë,

Duke theksuar edhe një herë rëndësinë e detyrës suaj, e cila rrit ose ul besimin e shoqërisë tek i gjithë shteti, është shumë e rëndësishme që t’i përkushtoni çdo minutë të veprimtarisë suaj. Nga i gjithë ai proces i gjatë i karrierës suaj profesionale nisja është shumë e rëndësishme. Ka shumë rëndësi si e bëni këtë nisje. Si çdo njeri tjetër në një profesion të ri, si specialist i ri, pa dyshim, që ka nevojë për kolegjialitet, ka nevojë për mbështetje. Unë jam i bindur se ju do t’i gjeni këto te kolegët tuaj; patjetër do të gjeni përkrahjen e tyre që sot janë në strukturën më të lartë të organit që qeveris pushtetin gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga ana tjetër, ju duhet të dini të bashkëpunoni. Kjo ka të bëjë jo thjesht me vullnetin për të studiuar, por edhe me prirjen e gjithsecilit për ta gjetur këtë bashkëpunim; kështu të gjithë së bashku të krijojmë fizionominë e vërtetë të pushtetit gjyqësor.

Fusha e veprimit tuaj kërkon disa atribute të padiskutueshme, të cilat krijohen e ndërthuren midis filozofisë juridike, kulturës shoqërore dhe përvojës. Duke iu referuar Profesor Eduard Devit, i cili në manualin e tij të titulluar “Dhjetë urdhërimet për gjyqtarin e ri” shikon te një gjyqtar i mirë pikërisht përputhjen e:
dinjitetit
mirësjelljes
durimit
përpikërisë
një gjyqtar i mirë nuk i trembet ndryshimeve nga gjykatat më të larta
për një gjyqtar të mirë nuk ka asnjë çështje të parëndësishme.

Besoj se ky është një koncentrat i një Profesori të madh, i një figure të rëndësishme në jurisprudencën amerikane, i cili jo vetëm nga përvoja e tij, por edhe nga gjithçka që ai ka studiuar në librat e jurisprudencës këtë ekstrakt shumë të rëndësishëm që do të ishte udhërrëfyes në aspektin metodik të orientimit të gjyqtarëve të rinj.

Së fundi, por jo me më pak rëndësi, do të kërkoja prej jush që në punën tuaj të përditshme të veproni me atë që në gjuhën popullore quhet “gjykimi i shëndoshë”. Kjo do të thotë se, për të qenë të suksesshëm, nuk mjafton të jeni studiues të thellë të ligjit, por duhet të dini ta vlerësoni atë në koherencë me realitetin.

Çelësi për të hapur derën e komunikimit të përditshëm me publikun gjatë proceseve gjyqësore është drejtimi praktik. Një gjyqtar është më shumë sesa një teoricien; me pak fjalë, është shumë e rëndësishme që ju të studioni që ju të merrni kontakt me literaturën, por nga ana tjetër të mos humbni drejtimin praktik, sepse realiteti është mjaft kompleks. Ju duhet të dini që, nëpërmjet juridiksionit që keni fituar në shkollë dhe gjatë praktikës së përditshme, të dini ta aplikoni në praktikat gjyqësore, sepse realiteti dhe shoqëria janë shumë komplekse.

Të jesh i drejtë do të thotë të jesh i arsyeshëm, pasi arsyeja siç dihet nga të gjithë, sidomos nga ju që merreni me ligjin, është thelbi i ligjit. Askush nuk e kupton një gjyqtar që komunikon vetëm me librat dhe harron të zbresë në praktikë për të gjetur nga afër logjikën e veprimit. Duhet të jeni patjetër komunikues, sepse është pjesë integrale e të qenit profesionalë. Profesionalizmi juaj është lidhja e njohurive mbi ligjin dhe arsyen e zakonshme; në të kundërtën, filozofia e punës suaj do të mbetej e pakuptueshme për shoqërinë.

Ne besojmë sot se gjyqësori shqiptar është më i pasur, sepse atij sot i janë shtuar gjyqtarë të rinj, tërësisht të formuar në një periudhë ndryshimesh të mëdha, në një periudhë kur e gjithë shoqëria, politika dhe të gjitha institucionet janë duke bashkëpunuar për të formuluar një legjislacion, që është i denjë për të qenë afër dhe në standardet e vendeve demokratike më të zhvilluara të Evropës dhe të botës.

Ne sot jemi me shumë shpresë se gjyqtarët e rinj duhet të dinë të vlerësojnë jo vetëm mbarimin e Shkollës së Magjistraturës, por duhet të dinë të vlerësojnë ceremonialin e kësaj dite, duhet të dinë të vlerësojnë praninë e mjaft personaliteteve të shquara të gjyqësorit; mbi të gjitha, ata duhet të dinë të vlerësojnë Kushtetutën, ligjin, të vlerësojnë kompleksitetin që ka shoqëria jonë. Ata duhet të dinë të vlerësojnë që në gjykim nuk ka rëndësi petku me të cilin vishet individi që është para gjyqësorit, por të vlerësojnë si atë që ka pushtet, si atë që është pa pushtet. Do të kenë më shumë vlerë nëse vlerësojnë, në radhë të parë, njeriun e thjeshtë, i cili çdo ditë thërret e bërtet për drejtësi. Këtë duhet ta bëjmë realitet të gjithë. Është një proces që nuk realizohet nga një gjyqtar i thjeshtë, por nga të gjithë. Ky është përkushtimi ynë sot, ky është motivimi që ne ju japim sot.

Unë urimin e fundit e kam ekskluzivisht për ju: Urime, punë të mbarë dhe dalshi faqebardhë në të gjithë misionin tuaj të vështirë, të gjatë, por mjaft fisnik!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›