E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë së Gjermanisë, Marion Caspers-Merk.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot një takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë së Gjermanisë, Marion Caspers-Merk,  e cila ndau me Kryetaren e Kuvendit përshtypjet e saj tejet pozitive të kësaj vizite të parë në Shqipëri.   Zonja Caspers-Merk shprehu kënaqësinë se Shqipëria po ecën tashmë në rrugë të mbarë në proceset e saj të zhvillimit dhe integrimit.   Për Kryetaren e Kuvendit mbështetja qe Qeveria, parlamenti dhe populli i Gjermanisë i kanë dhënë Shqipërisë, mbetet shumë e rëndësishme, jo vetëm në zhvillimin ekonomik por mbi të gjitha në proceset e integrimit në NATO dhe në rrugën drejt BE-së.   Në vijim të këtij vlerësimi, Kryetarja e Kuvendit shprehu besimin në mbështetjen e Gjermanisë edhe në procesin e liberalizimit të vizave, duke e cilësuar këtë si një nga çështjen më të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, që vuajtën gjysëm shekulli izolim dhe që pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe të sistemit diktatorial shpresuan në lëvizjen e lirë në Europë.   Duke u ndalur tek shëndëtësia, Kryetarja e Kuvendit falënderoi zonjën Caspers-Merk për mbështetjen konkrete të Gjermanisë në këtë fushë, duke vlerësuar si shumë të rëndësishme Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim midis 2 vendeve, të nënshkruar një ditë më parë.   Kryetarja e Kuvendit, e cila prej disa vitesh është angazhuar personalisht në fushata sensibilizuese në mbrojtje të shëndetit të gruas, veçanërisht në luftën kundër kancerit, shprehu rëndësinë jetike që kanë për gratë dhe qytetarët reformimi i sistemit shëndetësor.   Zonja Caspers-Merk e konsideroi shumë të rëndësishme përfshirjen dhe kontributin e Kryetares së Kuvendit në fushata ndërgjegjësuese mbi shëndetin e gruas pasi, siç u shpreh ajo, ndërgjegjësimi për këto sëmundje është një sfidë e vështirë edhe në Gjermani.   Kryetarja e Kuvendit, duke theksuar se shëndetësia do të jetë një prioritet në katër vitet e ardhshme, vlerësoi se mbështetja e Gjermanisë në këtë sektor por edhe  aplikimi i  përvojës gjermane do të ndikojë ndjeshëm në reformimin e këtij sektori sensitiv për jetën e qytetarëve.   Zonja Caspers-Merk shprehu kënaqësinë për këtë bisedë dhe siguroi se bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në fushën e shëndetësisë do të intensifikohet dhe do të konkretizohet me shumë nisma e projekte të tjera të përbashkëta.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›