E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon ambasadorin e Ukrahinës për Shqipërinë, Valeri Tsybukh

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe ambasadori i Ukrahinës që mbulon Shqipërinë, Valeri Tsybukh diskutuan sot për domosdoshmërinë e një impulsi të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrahinës. Ambasadori Tsybukh është në fund të mandatit të tij diplomatik për Shqipërinë, por ky takim nuk u konsiderua si një përmbyllje, por më tepër si vendosje e një kontakti të fortë e konkret për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Ai tha se politikat e Ukrahinës ecin paralelisht me politikat e BE-së, dhe ne jemi të interesuar për një thellim të bashkëpunimit me Shqipërinë. Kryetarja e Kuvendit shprehu interesin për intensifikimin e marrëdhënieve, veçanërisht në planin ekonomik e tregtar. Ajo nënvizoi se ky bashkëpunim duhet të bëhet në rrafsh konkret, përmes shtimit të marrëveshjeve ekonomike, kontakteve ekonomike e tregëtare apo vendosjes së lidhjeve direkte midis dhomave te tregtisë e industrisë. Ambasadori i Ukrahinës vlerësoi faktin që në një kohë krize globale financiare, ekonomia e Shqipërisë është në rritje. Ambasadori Tsybukh i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet nga Kryetari i parlamentit të Ukrahinës bashkë me ftesën për një vizitë zyrtare të Kryetares në Ukrahinë. Ai falënderoi Kryetaren e Kuvendit për faktin që ka qenë gjithnjë e hapur për bashkëpunim por mbi të gjitha që ka insistuar në vijimësi për dinamizimin e këtij bashkëpunimi mes dy vendeve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›