E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në konferencën “Viti 2010, informacioni në kohën e krizës”

- Mediat janë pushtet, fuqia e të cilave përcaktohet nga profesionalizmi i tyre. Kanë dështuar dhe dështojnë mediat që humbasin pavarësinë; kanë dështuar politikanë që bëhen medio-dipendent

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në konferencën për mediat “Viti 2010, informacioni në kohën e krizës” organizuar nga “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Pjesëmarrës të ftuar në këtë panel, ishin një numër i madh gazetarësh shqiptarë dhe të huaj, drejtues të institucioneve mediatike, përfaqësues të skenës politike shqiptare, si dhe përfaqësi të huaja të akredituara në Tiranë. Duke e vlerësuar temën si shumë të rëndësishme, kryeministri Berisha u shpreh se mediat kanë qenë një prej fushave ku janë ndjerë më shumë se kudo pasojat e krizës globale, por që njëkohësisht dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në transparencën e kësaj krize dhe zbardhjen e saj.
Gjithashtu kryeministri Berisha, duke vlerësuar rolin e mediave si një pushtet i pavarur, theksoi se të gjitha ato media që humbasin pavarësinë e tyre, janë të destinuara që të dështojnë.

Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari dëshiroj të shpreh kënaqësinë time, jam sot këtu të falënderoj organizatorët e këtij takimi dhe nuk dua ta fsheh se prania e kundërshtarëve të mi në këtë takim ishte një shtysë e fuqishme për mua që të marr pjesë. I tillë është shpirti i mediave e tillë është fjala e lirë, i tillë është detyrimi i qëndrimit ndaj saj. Ju garantoj se po të më ftonit për tango nuk do të isha sot këtu, për diversitetin e mendimit në çdo rast. Ndaj edhe dua të përshëndes këtu gazetarët shqiptarë dhe italianë, përfaqësuesit e mediave në këtë forum shumë të rëndësishëm i cili organizohet në kuadër të një seri veprimtarish do të thoja ndër më dinjitozet dhe të papërsëritura në historikun e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë dhe në kuadrin e pranverës së marrëdhënieve të dy popujve tanë.

Tema është jashtëzakonisht e rëndësishme, media dhe kriza përbëjnë një raport shumë të rëndësishëm për shoqërinë e lirë. Mediat kanë ndjerë më shumë se pushtetet e tjera, pasojat e krizës dhe në kuadër global kriza kërcënoi ekzistencën e titujve më të vjetër dhe më prestigjiozë të planetit, sepse ajo në mënyra të ndryshme ndikoi te lexuesi, te tregu. Por çdo krizë është sfidë, është mundësi. Kjo krizë ishte një apel për mediat që të bëjnë një kthesë më të fuqishme në drejtim të mediave on-line. Dhe unë mendoj se fuqizoi shumë karakterin e tyre on-line. Unë e kuptoj që klasikja është klasike, letra është letër, por e vërteta është se shoqëria po spostohet, po zhvendoset, gjithnjë e më shumë nga klasikja drejt on-line. Ndaj dhe shpresoj që kjo krizë me gjithë vështirësitë që i krijoi mediave, kjo krizë i ndihmoi ato të marrin fuqishëm një drejtim të ri, të eksplorojnë një bulevard të ri, i cili në të gjithë dukurinë, përbën dhe perspektivën e tyre më të madhe. Në misionin e tyre për informimin kanë qenë në të gjitha dimensionet e duhura. Kjo ishte një krizë, e paprecedentë në historinë e njerëzimit në një aspekt: në aspektin e mekanizmave që e krijuan këtë krizë. Krizën botërore, e krijoi para së gjithash dhe mbi të gjitha lakmia e papërmbajtur e njeriut. Do të lexoja një punim fondamental të cilin parlamenti britanik në komisionin e tij e shpalli si punim të vet, i cili bënte një paralelizëm të plotë me autorët faktorë të krizës së sotme, me gangsterët e krizave në Tiranë. Por bënte edhe dallimin. Në qoftë se kriza e sotme financiare botërore u provokua nga i njëjti mekanizëm moral ose amoral, atje ku u shfaq kësaj radhe nuk kishte asnjë vakum ligjor. Ekzistonin të gjitha ligjet të gjitha mekanizmat. Media kanë dhënë dhe japin një kontribut të madh në transparencën e kësaj krize, në zbardhjen e saj. Leksione nuk mund të them se po nxirren, por transparencën mediat po e bëjnë. Qeveria ime ngelet e vendosur të respektojë lirinë e mediave. Unë dua të shpreh një gjë nga eksperienca ime personale: mediat janë pushtet, fuqia e të cilave përcaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga profesionalizmi i tyre. Kanë dështuar dhe dështojnë mediat që humbasin pavarësinë; kanë dështuar politikanë që bëhen medio-dipendent. Ky është parimi i pandryshueshëm i imi. Bazuar mbi këtë parim unë ju garantoj se qeveria mbetet thellësisht e vendosur, të respektojë mediat, por edhe të ruajë pavarësinë. Si politikan unë i njoh vetes detyrimin e ruajtjes së pavarësisë prej tyre se këto janë pushtete të pavarura, që nga themelimi dhe krijimi i tyre. Dy gjëra mund të spikasin si unike të cilat nuk ekzistojnë në asnjë vend tjetër ë Evropë. Administrata ime, qeveria ime në përputhje me një premtim elektoral ka ndaluar tërësisht çdo lloj padie civile apo penale ndaj mediave. Nga shtatori i vitit 2005 gjer më sot nuk ka asnjë gazetar që të jetë paditur për çështje penale apo civile, nga cilido punonjës i administratës shqiptare. Dhe kjo përbën një arritje të madhe. Kjo përbën një arritje të madhe edhe për një fakt tjetër sepse në mënyrë të çuditshme dhe pozitive shembulli i administratës u bë inspirues për qytetarët. Në rast se më parë, kishte një seri pafund gjyqesh kundër gazetarëve nga administrata publike, por edhe nga qytetarët, tani gjyqet nga qytetarët janë shumë më të pakta.

Dua t’i them dy fjalë për të mbyllur këtë ekspoze zotit Rama. Nuk ka gjë më të trishtuar, thotë Dante Alighieri, se të kujtosh kohërat lumtura në hidhërim. Por për ne politikanët nuk ka gjë më të trishtuar se të lexojmë dhe të besojmë raportet e vartësve tanë. Pasi na lexove këtu një raport të Ditmir Bushatit, e them këtë për hir të transparencës mediatike, i cili për hir të vërtetës atakon në atë raport në mënyrën më thelbësore kryetarin e tij Edi Rama, për lejet e ndërtimit. Por unë mendoj që këto çështje nuk duhet të jenë probleme të forumeve të tilla. I nderuar zotëri unë jam kryeministri i vendit, ju jeni kryetari i Partisë Socialiste. Unë jam i gatshëm të përballem me ty, në çdo debat televiziv të moderuar kudo dhe për çdo çështje, për mediat, jo mediat, dhe çfarë t’u interesojnë. Respekti im për opozitën është i palëkundur, por ne duhet të ruhemi edhe nga bashkëpunëtorët të cilët i shkelin rregullat.

Unë këto kisha, ju uroj suksese, ju falënderoj për ftesën dhe ju garantoj se kjo qeveri do të respektojë plotësisht pavarësinë tuaj, sikundër kryeministri i saj mbetet tërësisht i pavarur nga mediat.


23/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›