E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon veprën heroike dhe kujtimin e katër policive të rënë në krye të detyrës.

8 gusht 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Bamir Topi nderoi sot në mesditë veprën heroike të katër punonjësve të policisë të rënë dje gjatë operacionit dhe shkëmbimit të zjarrit për kapjen e një të shumëkërkuari: Drejtuesit Fatos Xhani, kryeinspektorëve Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska.

Kreu i shtetit shqiptar bëri homazhe në “Pallatin e Kongreseve” në nderim të kujtimit të katër “Dëshmorëve të Atdheut”, duke vendosur kurora në vlerësim të sakrificës sublime dhe vetëmohimit të tyre të pashembullt për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së mbarë qytetarëve shqiptarë. Presidenti Topi gjithashtu ngushëlloi familjarët e policive të rënë, duke u shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e pazëvendësueshme të njerëzve të tyre më të dashur, i bindur se në këto momente të vështira dhimbjeje njerëzore të gjithë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi u gjenden shpirtërisht pranë për të ndarë me ta këto çaste.

Në përfundim të homazheve, Presidenti Topi u shpreh: “Padyshim që janë momente shumë të dhimbshme, shumë emocionuese. Mund të konsiderohet një nga aktet më tragjike që kemi përjetuar këto vite, humbjen e katër oficerëve, të cilët përpara se të ishin të tillë, ishin qytetarë të këtij vendi, qytetarë të devotshëm, ishin familjarë. Sot padyshim ka një ndjenjë të dyfishtë, sikurse e thashë një dhimbje pafund, por edhe një vlerësim të madh për këta njerëz, që përballen në çdo moment me krimin, i cili në disa raste është dhe mjaft i sofistikuar. Unë dëshiroj, ripërsëris dhe rishpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe padyshim që shpreh solidaritetin tim të plotë për forcat e rendit, për të gjithë ata që punojnë në çdo sekondë të njëzet e katër orëshit për vendosjen e rendit në çdo qelizë të vendit tonë. Nga ana tjetër, do të nxisja me shumë forcë të gjithë institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe një herë mesazhin e fortë, që duhet të vijë nga çdo institucion, për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar”.

Më pas, Kreu i shtetit shqiptar mori pjesë në përcjelljen për në banesën e fundit me të gjitha nderimet shtetërore të katër “Dëshmorëve të Atdheut”, të cilët tashmë prehen në Varrezat e Dëshmorëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›