E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit uron studentët e Fakultetit të Shkencave në Tiranë, për fillimin e vitit të ri akademik 2009-2010.

  Kryetarja e Kuvendit  ishte sot e ftuar e vecante e qindra  studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2009-2010.
Mes nje mikpritjeje të ngrohtë rinore, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë e jashtëzakonshme  për këtë vizitë, në tempullin e shkencëtarëve dhe kërkuesve  të ardhshëm shqiptarë, në disiplina të ndryshme shkencore.
 Kryetarja e Kuvendit përcolli tek të rinjtë emocionet e pasionit të madh që ajo personalisht, ka për shkencat, nisur dhe nga profesioni  bazë si matematiciene dhe tashmë si politikane.
Kryetarja e Kuvendit në mesazhin e saj, drejtuar të rinjve, cilësoi  se llogjika që ushqen shkencën është thelbësore në politikë dhe se ajo ndihet mirë në këtë trajektore shkencë - politikë.
Më tej duke analizuar prioritetet në arsim,  Kryetarja e Kuvendit u shpreh  se mazoranca  ka një  program ambicioz në katër vitet e ardhshme që synon rritjen e burimeve të financimit për arsimin, si dhe rritjen e rolit të qeverisjes vendore dhe sektorit privat në politikat arsimore.
Shteti do të kthejë më shumë sytë nga shkencat ekzakte tha Kryetarja e Kuvendit, në mënyrë që të shihen si një karrierë e admirueshme dhe të kërkueshme nga të rinjtë".
Kryetarja e Kuvendit falenderoi dhe shprehu miënjohjen e thellë për pedagogët dhe të gjithë lektorëve që kanë  ushqyer dashuri për shkencën dhe respekt për këtë profesion, breza të tërë studentësh të këtij fakulteti dhe i uroi suksese të rinjve që sapo kanë filluar studimet.     Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit në auditorin e Fakultetit të Shkencave   Të nderuar pedagogë
Të dashur studentë, E konsiderova nje nder dhe kënaqësi, ftesën për të ardhur në këtë ditë të veçantë në këtë fakultet, sepse ju e dini që shkencat janë pasioni im, dhe më besoni e ndjej më afër zemrës sesa politikën. Prania në këtë sallë mes jush më sjell plot kujtime, duke parë profesorët, ju studentë, duke përjetuar bashkë me ju entuziazmin dhe emocionet e kësaj dite. Ju faleminderit që më bëtë pjesë të kësaj ndjesie.
Shpesh më kanë pyetur se si ka mundësi që nga studimet për matematikë përfundova në politikë. Unë besoj se përgjigjia është te logjika. Logjika që të ushqen shkenca është thelbësore në politikë.
Politikani është një barazim vlerash dhe politika shpesh është një ekuacion me të njohura e të panjohura që të jep kënaqësinë e gjetjes së zgjidhjes dhe e llogaritjes së probabiliteteve. Dhe unë ndihem mirë në trajektoren lidhëse të matematikës dhe politikës.
Të dashur studentë, të nderuar pedagogë! Unë e njoh rëndësinë e shkencës. Roli i saj në kohën e integrimit dhe globalizmit është i jashtëzakonshëm. Ju jeni me fat që studioni të bëheni matematicienët, biologët, fizikatët, kimistët, informaticienët, shkencëtarët e një Shqipërie pjesë e proceseve globaliste. Shkenca gjithnjë e më shumë ka një rol jetik në të ardhmen e globit. Teoritë ndryshojnë dhe shkenca është në sfidë të vazhdueshme. Ne duhet të jemi në lartësinë e kësaj sfide, sepse vendi përfiton shumë nga zhvillimi i shkencës.
Ne jemi plotësisht të gatshëm që tju sigurojmë juve, të rinjve të shkëlyer, vlerësimin për potencialin shkencor dhe rolin që ju luani.
Ne do të kthejmë më shumë sytë nga matematika, fizika apo kimia e ta bëjmë shkencën një karrierë të admirueshme dhe të kërkueshme nga djemtë dhe vajzat e reja.
Siç ju e dini, teknologjia e re është bërë bazë e projekteve të Qeverisë dhe parlamentit.
Programi për arsimin në katër vitet e ardhshme është ambicioz në rritjen e burimeve të financimit për arsimin si dhe rritjen e rolit të qeverisjes vendore dhe sektorit privat në politikat arsimore. Rritja e cilësisë së arsimit, orientimi nga ekonomia e tregut dhe rritja e kërkesave në tregun e punës  kanë një ndikim të drejtpërdrejtë  në rritjen e interesit për shkollim.
Po ashtu programi për vitet në vijim parashikon që rekrutimi i nxënësve nga shkollat e mesme në universitete të kalojë mbi mesataren e vendeve anëtare të BE;
Numri i studentëve të rritet në 150 mijë, pra mbi mesataren e vendeve të BE; të trefishohet numri i studentëve nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit si dhe të dyfishohen bursat për shkollat e mesme dhe universitetet e vendit. Shumë e rëndësishme është zbatimi me shpejtësi informatizimit të edukimit, ose e-education, proces që ka nisur tashmë. Mua më vjen shumë mirë që, duke patur parasysh kërkesat e tregut parashikohet që shpenzimet publike dhe private për arsimin dhe shkencën do të arrijnë në 7% të PBB-së ndërsa është planifikuar një fond për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin, i cili do të zë 0.6 % e GDP-së dhe do të implementohet nga një agjenci e specializuar.
E po ashtu një vemendje e veçantë do të jetë për inkurajimin e ekselencës në formën e qendrave apo grupeve të ekselencës në institucionet publike dhe private.
Të nderuar profesorë e studentë,
Misioni i të gjithë universiteteve është të ofrojnë edukim liberal për të gjithë studentët, të udhëheqin kërkimin shkencor dhe të kontribuojnë në shoqëri përfshirë këtu edhe ekonominë dhe kulturën.
Përgjegjësia e profesorëve nuk është thjesht të japin mësim, por të japin mësim dhe të bëjnë kërkim shkencor në të njëjtën kohë.
Njohuritë e publikut se çfarë janë universitetet si dhe gatishmëria  për të mbështetur misionin e tyre janë faktorët që përcaktojnë se sa i fortë është një universitet.
Universitetin dhe shoqërinë ne duhet ti shohim si palë të një kontrate sociale. Në çdo kohë kjo kontratë sociale duhet përshtatur dhe  ri-negociuar.
Tani në fillim të shekullit të 21-të ne po ri-negociojmë kontratën sociale ndërmjet universiteteve dhe shoqërisë qe i mbështet ato. Cili duhet të jetë misioni i universitetit?
Cilat janë karakteristikat themelore të kohës sonë dhe si duhet ti përshtatet atyre universiteti? Cili duhet të jetë ekuilibri ndërmjet misionit tradicional të universitetit dhe ndryshimeve që kërkohen në ditët tona? Shpesh kur ne mendojmë për misionin e universiteteve, ne kemi parasysh mësimdhënien në të, dhe kontributet e tij në jetën ekonomike, kulturore dhe sociale. Por nga fundi i shekullit XX, universiteti ka marrë një rol të ri: universiteti është kthyer në një institucion të demokracisë.Zakonisht, kur ne mendojmë për demokracinë, ne nuk mendojmë për universitetet. Mendojmë fillimisht për institucionet qeverisëse- një parlament përfaqësues, parti politike dhe zgjedhje. Mendojmë për zgjedhjen midis partive politike dhe midis platformave partiake.
Ne mendojmë shpesh për rëndësinë e një shtypi të lirë, për të siguruar përzgjedhjen e elementit demokratik në zgjedhje. Por nëse reflektojmë për një moment, e kuptojmë se universitetet janë barazisht të rëndësishme për demokracinë.
Por  universitetet kanë një mision të ri, një mision sepse ato janë institucione të demokracisë. Universitetet duhet të gjejnë një mënyrë për te ruajtur aspektet me te respektuara te vlerave te tyre themelore, ndërsa gjejnë mënyra të reja për tju përgjigjur energjikisht mundësive të një bote që po ndryshon me shpejtësi. Kjo është sfida kryesore e arsimit të lartë ne shekullin e ri.
Universiteti është një institucion jashtëzakonisht jetëgjatë, dhe sii tillë misioni i tij është kombinimi i shumë misioneve. Kjo histori është trashëgimia jonë. Ajo na ka dhënë vlerat kryesore që duhet ti ruajmë edhe ndërsa përshtatemi me të tashmen.
Unë do dëshiroja që ju të jeni pjesë e qenësishme e një rrjeti ndërkombëtar të shkencëtarëve të rinj.
Në një botë globaliste dhe kompetitive shkenca dhe shkencëtarët mund të luajnë një rol lider në stategjitë e  zhvillimit.
Ne duhet të bëjmë të mundur që të gjithë bashkë, qeveria, parlamenti, studentët, shkëncëtarët e qytetarët të jemi të angazhuar ti japim universitetit rolin thelbësor që i takon në ndërtimin e një bote më të mirë.    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›