E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryetarja e PE: Nxirrni mësime nga lufta në Ukrainë, hapni negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Kryetarja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola ka kërkuar nga BE që të përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të hap negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Metsola tha se BE duket të nxjerrë mësime nga lufta në Ukrainë dhe se duhet të forcojë rolin e saj në Ballkan duke mos lejuar aktorët e huaj keqdashës të cenojnë stabilitetin.

“BE-ja duhet të ndalojë shpikjen e kritereve të reja të pranimit dhe në vend të kësaj të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE sepse stabiliteti në rajon është jetik për vetë stabilitetin e BE-së. Nxirrni mësime nga lufta e Rusisë në Ukrainë, shiheni anëtarësimin si një mjet të fuqishëm për të kundërshtojnë përpjekjet e aktorëve të huaj keqdashës. BE-ja duhet të tregojë qartësi për vendet e Ballkanit Perëndimor sepse ato kanë trokitur në dyert tona për një kohë të gjatë. Bashkimi Evropian gjithashtu duhet të mbajë fjalën e tij që duhet të përmbushim premtimet tona. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë punën e tyre për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe pavarësisht thirrjeve të Parlamentit Europian, datat për mbajtjen e konferencave ndërqeveritare me të dyja vendet nuk janë fiksuar ende”, tha Mesola në një video-konferencë në forumin “BE për Ballkanin” i mbajtur në Sofje të Bullgarisë.

Presidentja e PE-së përgëzoi sanksionet e vendosura ndaj Rusisë për luftën që po zhvillon në Ukrainë dukë thënë se pret që ata që kërkojnë të bëhen shtete anëtare të BE gjithashtu t’i zbatojnë sanksionet ndaj Rusisë.

“Ne përgëzojmë ato vende që kanë zbatuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Megjithatë, theksojmë më tej se sanksionet duhet të vazhdojnë të zbatohen plotësisht. Kjo është ajo që pritet nga çdo vend që aspiron të bëhet anëtar i BE-së”, tha Metsola.

Para nisjes së forumit “BE për Ballkanin” Bullgaria tha se nuk do të heq dorë nga veto kundër Maqedonisë së Veriut duke mbajtur pezull kështu edhe procesin e integrimit të Shqipërisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›