Presidenti i ri, Balla: Më 10 maj të zhvillohet raundi i parë i votimit! Opozita të bëhet pjesë për të zgjedhur një figurë unifikuese

Partia Socialiste ka propozuar datën 10 maj për të zhvilluar raundin e parë të votimit të emrit të Presidentit të ri. Këtë e bëri të ditur kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili tha se më 4 maj mbahet Konferenca e Kryetarëve, ku do të propozohet futja në rendin e ditës në seancën parlamentare të 10 majit votimin e Presidentit të ri të vendit. Balla u bëri thirrje grupeve parlamentare që të japin propozimet e tyre dhe të bëhen pjesë e këtij procesi për të gjetur një emër unifikues që do të jetë në krye të vendit për 5 vitet e ardhshme.
“Konferenca e kryetarëve më 4 maj, unë do të propozoja data 10 maj të ishte mbajtja e raundit të parë të votimit për Presidentin e ri. Kjo shtyrje me 5-6 ditë i shërben të gjitha grupeve parlamentare për të qartësuar brenda vetes procesin e këtyre bisedimeve, negociatave mes grupeve parlamentare. Kushtetuta ka përcaktuar qartë nevojën e një dialogu përgjatë 3 raundeve të para. Mirë do të ishte të kishim të gjitha grupet parlamentare që të merrnin kohën e nevojshme për të dialoguar me njëri-tjetrin. PS hyn në këto negociata me 3 grupet parlamentare për të zgjedhur një President të gjithë shqiptarëve”, tha Balla.
Balla tha se nuk do të ketë publikime të emrave për kandidat për sa kohë janë në fazë bisedimesh, por për pikën që bien dakord të gjitha grupet parlamentare është që presidenti i ri të jetë pa dallime.
“Presidenti zgjidhet sipas Kushtetutës. Kushtetuta ka përcaktuar se Presidenti i Republikës zgjidhet në tre raundet e para, propozohet nga jo më pak se 20 deputetë dhe secili prej deputetëve të Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të jetë propozues. Grupi parlamentar i PS, jo vetëm në këtë rast por edhe në vijim do të vijojë të marrë propozime konkrete dhe për lidhje të caktuara drejtpërsëdrejti. Ka pasur një risi në këtë proces, është risi që do e aplikojmë dhe në raste të zgjedhjes, dua të sqaroj se të gjitha propozimet që kanë ardhur në email janë trajtuar me seriozitet dhe do të bëjmë short listë nga grupi që kemi përcaktuar për negociata me opozitën. Nuk do i bëjmë publike sa kohë jemi në proces bisedimesh. Ne do të shkojmë në fazën e parë me kalendar dhe më pas me profil, pas kësaj do kemi short listën me propozimet nga deputetët dhe publiku. Dëshira jonë është që negociatat të zhvillohen në bazën e një kalendari. Jam i bindur se shumica dërrmuese bien dakord se duhet një President pa dallime”, tha Balla.
Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.
/rtsh.al/