Kryetarja e parlamentit të Pakistanit viziton Beratin
BERAT- Kryetarja e parlamentit të Pakistanit Fahmida Mirza, e cila gjendet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ka zhvilluar sot një vizitë në qytetin e Beratit. Së bashku me delegacionin që ajo përfaqëson Mirza ka zhvilluar një takim në zyrën e kryetarit të bashkisë Fadil Nasufi, ku ishte i pranishëm dhe prefekti i qarkut Mujar Hoxhaj si dhe deputeti i qarkut Mehmet Xheka.
Kreu i bashkisë Nasufi i ka bërë një rezyme të vlerave historike dhe resurseve të këtij qyteti kryetares së parlamentit të Pakistanit. Takimi në zyrën e kryetarit të bashkisë është zhvilluar pa pranin e medias, ndërkohë që vetë kryetarja e parlamentit është shprehur në një deklaratë për median se kishte shprehur dëshirën për të vizituar këtë qytet. “Arsyeja e ardhjes time në Berat është që të forcojmë lidhjet midis popujve të vendeve tona. Vizita ime në Shqipëri nuk do të ishte e plotë po të mos vizitoja Beratin, tha Mirza.
Si Shqipëria dhe Pakistani është një shtet ku janë bashkuar civilizime kultura të besimeve fetare të ndryshme. Ne kemi gjithashtu objekte të ndryshme që janë sikurse dhe ato të Berati që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESKO-s. Pra, kjo është një fushë tjetër ku ne mund të kemi shkëmbime të ekspertëve arkeolog dhe historianëve dhe të shkëmbejmë me njeri-tjetrin dhe të mësojmë si ta pasurojmë me tej këtë kulture, gjithashtu kemi se çfarë të mësojmë nga eksperienca shqiptare e bashkëjetesës fetare në harmoni, ka shtuar ajo.
Më pas vizita e kryetares së parlamentit ka vijuar me disa takime që ajo ka zhvilluar në qendrën historike të këtij qyteti.
Erjola Azizolli