E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryevepra “Rigoletto” sjell Verdin për herë të katërt në TKOB



Fundi i marsit do të sjell disa mbrëmje krejtësisht të veçanta nën tingujt e muzikës operistike, për admiruesit e skenës teatrore. Drama e thellë e pasionit, tradhëtisë dhe hakmarrjes vjen për publikun kryeqytetas në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kështu, përgjatë datave 20, 21, 23, 24 dhe 25 Mars, solistë të njohur të TKOB do të interpretojnë në një nga veprat më mëdha të repertorit klasik botëror, siç është opera “Rigoletto”, e Xhuzepe Verdit e me libret të Francesco Maria Piave (sipas dramës së Viktor Hygo). Kjo kryevepër e Verdit nuk ngjitet për herë të parë në skenën teatrore shqiptare, por ky realizim i fundit i saj shënon plot herën e katërt që ajo do të vijë për spektatorin shqiptar. Në këtë mënyrë kjo dramë ka njohur më parë 3 variante skenike të saj, duke filluar nga viti 1965, në të cilin regjisori Luigj Gurakuqi në bashkëpunim me dirigjentin e njohur Mustafa Krantja e kanë sjellë këtë opera për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë që, Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortët Nina dhe Avni Mula. Ndërkohë një tjetër vënie në skenë e kësaj opere ka qenë ajo e vitit 1994, kësaj here me regji të Nikolin Gurakuqit dhe të tjerë solistë të njohur të TKOB kanë interpretuar në rolet e saj, përkatësisht Marjana Leka nën petkat e Xhildës dhe tenori Adrian Xhema, Agim Duro dhe Ymer Kacaj, kanë realizuar personazhin e Rigoletos. Viti 2005 do të shënonte edhe 50 vjetorin e kësaj premiere, të cilën kësaj here do ta ringjiste përsëri në skenë regjisori Nikolin Gurakuqi. Xhilda u interpretua sërish nga Marjana Leka, dhe Etleva Golemi, Rigoleto nga baritoni italian Pietro Terranova dhe ai shqiptar Ylber Gjini. Ndërkohë që si u përmend edhe më sipër për herë të katërt kjo opera shfaqet në datat 20, 21, 23, 24 dhe 25 Mars, në skenën e TKOB. “Rigoletto” është një opera me tre akte, nga Verdi i mbështetur mbi libretin e Francesco Maria Piave, ky i fundit i trajtuar sipas dramës së Viktor Hygo, “Le Roi s'amuse” ("Il re si diverte"). Për herë të parë ëshë vënë në skenë në 11 Mars të vitit 1851 në Teatrin “La Fenice”, të Venezias. Në rolet përkatëse kanë interpretuar përkatësisht në atë të Dukës së Mantovës, Raffaele Mirante, tenor; në atë të Rigolettos, Felice Varesi, bariton; në rolin e xhildës, Teresina Brambilla, soprano; si Maddalena, Annetta Casaloni; Xhovana, Laura Saini, mezzosoprano; Konti i Monterones, Paolo Damini, bariton, etj. Së bashku me veprat e tjera “Il trovatore” (1853) dhe “La traviata” (1853) “Rigoletto” konsiderohet pjesë e së ashtuquajturës “trilogjisë më popullore” të Verdit. Por kjo vepër për fat të keq, meqë në qendër të saj kishte një figurë të oborrit mbretëror menjëherë si e tillë u bë objekt i censurës austriake. Të njëjtin fat do ta kishte në vitin 1832 edhe vepra e Hygo-së “Le Roi s'amuse”, e cila gjithashtu u bllokua nga censura dhe u ripropozua sërish vetëm pas 50 vjetësh. Drama e thellë e pasionit dhe e dashurisë, tradhëtisë dhe hakmarrjes vjen në këtë vepër. “Rigoletto” ofron jo vetëm një kombinim perfekt të pasurisë melodioze dhe fuqisë dramatike, por evidenton qartësisht tensionet e problemet sociale dhe pozitën femërore në një realitet të viteve 800.

“Ideart” sjell “E kuqja e demave” në një CD roman
Shtëpia Botuese “Ideart” ka menduar ta festoj paksa ndryshe nga herët e tjera 8 marsin. Pikërisht këtë ditë do të prezantoj për lexuesit romanin e shkrimtares Mira Meksi, i vlerësuar si një nga tri librat më të shitur në Panairin e Librit 2009 duke përuruar këtë herë CD-roman me zë të lexuar nga autorja. Është hera e parë që libri-roman vjen për lexuesin në një formë të tillë komunikimi, i cili vlerëson leximin sipas autores, larg formave teatrale interpretuese. Leximi i saktë dhe i qartë, sipas konceptit të shkrimtares sjell një bashkëveprim me lexuesin duke e bërë atë më të afërt në një botë spirituale, rrëfyer prej saj në një qytet legjendash në Spanjë. Takimi i shkrimtares Mira Meksi me lexuesit do të mbahet më 08 mars 2010, ora 17.00 - 20.00, CityPark - Holli Qendror. Takimi përmban këto veprimtari: Intervistë, përurim i CD "E kuqja e demave" - roman me zë lexuar nga autorja; nënshkrim i librave-autografe, hapësirë për median.
Romani “E kuqja e demave” tregon për një qytet legjendash në Spanjë, ku murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit…Brenda një realiteti të përndezur ndeshjesh me dema, rivalitetesh dhe tradhtish të gjakta, Mira Meksi, me romanin e saj “E kuqja e demave”, përshkruan lojën pasionante të jetës ku ngërthehen fort dhe përleshen egrasi Dashuria dhe Vdekja. Romani i saj “E kuqja e demave” u rendit si një ndër më të shiturit gjatë vitit të kaluar ndërsa nga kritika është cilësuar një ikonë e madhe, një ikonë e gjallë, e mbrujtur me ngjyra, me një vizualizëm ekspresionist dhe me një imazheri të prekshme surreale, por edhe me plot dritë-hije dhe me mister; porse, mbi të gjitha, është një ikonë vërtet e arrirë, në të gjitha kuptimet, ngjyresat dhe përftesat e këtij termi, për vetë ikonën, për natyrën dhe misterin e saj. Mira Meksi ka mbaruar studimet e larta për filologji frënge dhe hispanike. Është e njohur si përkthyese e Dumas-së, Yourcenar-it, Duras-it, Borges-it, Marquez-it, Paz-it, Cortazar-it, Neruda-s, etj dhe si autore romanesh, përmbledhjesh me tregime e librash për të rinj dhe fëmijë. Mira Meksi është kryeredaktore e revistës letrare “Mehr Licht!”.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›