Si veprohet kur klienti i bankës nuk shlyen kredinë
Një numër i konsiderueshëm klientësh që kishin ndërprerë shlyerjen e huave për shkak të krizës tashmë po rikthehen në sportelet e bankave për të rinisur pagesën e kredive. Në të shumtën e rasteve bankat u ofrojnë ristrukturimin e kredive me kushte të reja, që jo domosdoshmërish përcaktohen për të mbrojtur interesat e konsumatorëve. Një zgjatje afati dhe një ulje e pagesës së këstit mujor është forma më e zakonshme e ristrukturimit, që në afatin e gjatë nënkupton që klienti paguan më shumë interesa. Por që gjithsesi është më mirë sesa banka të të marrë pasurinë e lënë peng, apo t’iu “bjerë në qafë” të njohurve që mund të të kenë hyrë si garant në momentin e marrjes së kredisë.
Portofoli i kredisë
Përkeqësimi i portofolave të huave gjatë vitit të fundit i ka detyruar bankat t’i drejtohen gjithnjë e më shumë praktikës së ristrukturimit të kushteve të kredive. Bankat pohojnë se ndonëse kjo praktikë ka qenë e zbatueshme, vitin e kaluar kanë pasur një fluks më të madh kërkesash për ristrukturim e cila lidhet praktikisht me vështirësitë që solli kriza.
Klientëve që kanë ndërprerë apo nuk kanë qenë në gjendje t’u përgjigjen në kohëve kontratave për shlyerjet e huave u ofrohet nga ana e bankave mundësia e përcaktimit të termave të reja për shlyerjen e huave. Bankierët e konsiderojnë shenjë pozitive për shëndetin e sistemit, pasi gjithsesi bëhet fjalë për kredi që bankat më parë i kanë klasifikuar “me probleme” e që duke iu nënshtruar kësaj praktike futen në rrjedhën normale të sistemit.
Kreditë me probleme
Kreditë me probleme u shtuan në masë shqetësuese gjatë vitit të shkuar duke arritur në kuotën 9.8% të portofolit të përgjithshëm të huave deri në fund të nëntorit 2009. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë nuk u kalua pragu prej 10 përqindësh. Shkaktarët tashmë dihen: Efekti i krizës ekonomike globale në të ardhurat e popullsisë, ngadalësimi i rritjes ekonomike, shtimi i numrit të të papunëve, ulja e nivelit të konsumit, rënia e dërgesave nga emigrantët, zhvlerësimi i lekut në raport me monedhat e huaja e veçanërisht me euron, që rriti këstet për të gjithë ata që i kishin të ardhurat në lekë.
Ndërkohë bankat dhe institucionet e tjera të kredisë i parashikojnë në aktivitetin e tyre situata të tilla kur klientët momentalisht nuk kanë mjetet e duhura financiare për të shlyer rregullisht kreditë. Kjo bëhet duke u ofruar lehtësira në pagesa përmes përcaktimit të kushteve të reja të ripagimit. Ristrukturime mund të bëhen edhe në rastet kur një klient vendos, apo i këshillohet nga banka, të ndërrojë valutën në të cilën ka marrë fillimisht kredinë. Rasti tipik qe viti i shkuar kur luhatjet e forta të kursit të këmbimit ekspozuan si konsumatorët edhe vetë bankat ndaj humbjeve të mundshme për shkak të zhvleftësimit të lekut veçanërisht në raport me monedhën e përbashkët evropiane.
Ristrukturojnë kredinë
Bankat, në marrëveshje me kredimarrësin, ristrukturojnë kredinë në rastin kur kredimarrësi nuk shlyen huan në përputhje me afatet dhe me kushtet e marrëveshjes fillestare, sipas kritereve të përcaktuara në manualin e kredisë të miratuar nga Këshilli Drejtues i bankës ose kur, mbështetur në analizat e tyre, gjykojnë se kredimarrësi do ta shlyejë të gjithë kredinë sipas kushteve të reja. Disa nga mundësitë që bankat ofrojnë për përmirësim të situatës së pagesave të vonuara, mund të jenë lehtësim i këstit mujor duke paguar këstet e vonuara dhe ato të radhës sipas një skeduli të ri ose duke bërë një ristrukturim total të kredisë. Ajo që duhet vërejtur është se nuk ekziston një formule fikse e cila aplikohet për çdo kredi që ristrukturohet. Madje secila nga bankat përshtat çdo ristrukturim kredie në varësi të kushteve individuale të çdo klienti. Oficerët e kredisë nisin të rishqyrtojnë kapacitetet paguese të klientëve që kanë ndërprerë apo vonuar shlyerjen e kredive. Më pas, me shqyrtimin e kushteve të reja, apo pritshmërinë në të ardhmen mund t’i ofrohet klientit mundësia për ta ndërprerë shlyerjen e kësteve për disa muaj. Në raste të caktuara mund t’i jepet mundësia që për një periudhë të caktuar kohore të mos paguajë tërë shumën e principalit por vetëm interesin. Ndodh rëndom që klientëve edhe t’u falen dënimet që parashikojnë vonesat e shlyerjes së kësteve, të cilat mund të jenë në kuotën 1-2% në muaj.
Kushtet e reja
Kushtet e reja parashikojnë rritjen e kohëzgjatjes së kredisë duke përcaktuar këste më të ulëta mujore. Këstet ulen në atë masë që mund të përballohen financiarisht nga klienti, gjë që shpie automatikisht në zgjatjen edhe me disa vite të kredisë në tërësi. “Jemi të dyja palët të interesuara që klientit t’i ofrohet mundësia për t’i shkuar në fund shlyerjes së kredisë”,- thotë një oficere kredie. “Në këtë rast klienti nuk do të humbiste pronën që ka vënë si garanci, ndërkohë që as vetë banka nuk ka interes për t’i hyrë proceseve të gjata marrjes e të shitjes së kolateralit, pa harruar që nuk do merrte sa fitimin që ofron çdo kredi”. E megjithatë duket se jo gjithnjë kontrata e re bëhet me qëllim për t’i dhënë një mundësi të dytë klientit. “Po të bëj llogari gjithçka do të paguaj deri në fund të kredisë së re, pas ristrukturimit, më rezulton se norma e interesit më është rritur me 2%”, thotë pronari i një dyqani që prej dy javësh ka nisur përpjekjet për shlyerjen e kredisë së ndërprerë që në verën e vitit të shkuar.
Procedura, tashmë e përshpejtuar
Në fakt duket se i gjithë sistemi favorizon bankat kur vjen fjala te shlyerja e detyrimeve, tashmë edhe me futjen në skenë të përmbaruesve privatë. Prania e tyre ka shkurtuar ndjeshëm edhe zvarritjen e procedurave në agjencinë shtetërore të përmbarimit. Vonesa ka vetëm në ato raste kur klienti konteston raportin e vlerësimit të pronës që përpilohet nga specialistët përmbarues. Në rast të kundërt, procedurat e përmbarimit vështirë të zgjasin më shumë se një muaj. Pas kësaj, prona e vënë nga ana e klientit si garanci për huan e marrë del në ankand, nga i cili banka merr mbrapsht edhe shumën e huas të pashlyer nga klienti. Zhvillohen dy ankande. Në të parin objekti i vënë si garanci nga huamarrësi ofrohet me një ulje prej 20 përqindësh të çmimit. Në rast dështimi zhvillohet një ankand i dytë, ku objekti ofrohet me 50 për qind të çmimit. Tarifa e procedurave të përmbarimit që paguhet nga bankat është 7 për qind e shumës për bizneset dhe 3 për qind për individët.
Si mund t’i shpëtoni ekzekutimit të pasurisë
Në këtë klimë të favorshme janë vetë bankat ato që në njëfarë mënyre vonojnë nisjen e procedurave të kthimit të kredive të pashlyera. Me ndërprerjen e shlyerjes së kredisë, bankat nuk nxitojnë t’i hyjnë menjëherë procedurave ligjore. Oficerët e kredive kontaktojnë në mënyrë të vazhdueshme me klientët dhe në fazën e parë të negociatave rishqyrtohet aftësia e tyre paguese. Në një fazë të dytë i ofrohet opsioni i ristrukturimit të kredisë përmes këstesh më të vogla, duke zgjatur periudhën e shlyerjes. Kjo pasi çdo kredi me probleme duhet të mbulohet nga banka me provigjione, tregon titullari i një banke. Madje është Banka e Shqipërisë ajo që ka vendosur një kufi kohor prej një viti, për nisjen e procedurave ligjore që nga çasti i ndërprerjes së shlyerjes nga klienti.
Debitorët e bankave, 67% e familjeve shqiptare janë në borxh
Sipas BSH-së rezulton se rreth 67% e familjeve shqiptare janë në borxh me bankat. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë kredi pranë bankave, ndërsa pjesa tjetër overdraft, ose përdorin karta krediti. Më shumë se 34 për qind e shqiptarëve që kanë nevojë për hua nuk u drejtohen bankave, por tregut të zi. Rreth 68 për qind e kredimarrësve u drejtohen bankave dhe institucioneve të tjera, jo banka, por të licencuara për këtë qëllim. Ndërsa pjesa tjetër, që është plot 34%, përdorin tregun e zi për kreditim, ku shpeshherë janë marramendëse. Shpeshherë bankat dhe institucionet e tjera të kreditit nuk janë aq të shpejta për të plotësuar nevojat emergjente të një individi për hua. Të marrësh kredi në banka duhen plotësuar disa procedura dhe shpeshherë këto shoqërohen me një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, konsumatorët shpeshherë kanë nevojë për pagesa emergjente, për shlyerjen e të cilave nuk mund të sigurojnë likuiditete nga bankat. Kjo çon në kredimarrjen në të zezë, duke krijuar kështu një hendek në tregun financiar që nuk ka mundësi të kontrollohet dhe as të mbikëqyret.
8 Mars 2010