E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, Qeveria u “djeg” studentëve Kartën, duke u premtuar Kupon



Jonida Tashi

Qeveria u “djeg” studentëve Kartën, duke u premtuar se do t’u japë Kupon. Dështimi i zbatimit të Kartës së Studentit, që mbeti thjesht një letër më shumë në xhepat e atyre pak të rinjve që arritën ta merrnin, ka bërë që qeveria ta zëvendësojë këtë dokument me një tjetër të barasvlershëm, që do të quhet Kupon Studenti. Ndonëse zyrtarisht nuk pranohet një fakt i tillë, realiteti tregon qartë se premtimi i qeverisë për t’i pajisur të rinjtë me Kartë e Studenti, ka rezultuar një flluskë sapuni.
Kuponi
Për këtë arsye, qeveria ka parashikuar që t’i pajisë studentët me një tjetër dokument nga i cili mund të përfitohen disa shërbime, që është Kuponi i Studentit. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga këshilltari i kryeministrit për Arsimin, Bardhyl Musai. Ky i fundit ka deklaruar publikisht se sipas mënyrës së re, të parashikuar nga qeveria për financimin e universiteteve publike, studentët do të pajisen me kuponë, sipas degëve të veçanta. Sipas Musait, pothuajse për çdo degë të studimeve të larta do të ketë një kupon të posaçëm, prej të cilit, studenti mund të përfitojë disa lehtësi. Ndërkaq është parashikuar që më shumë përfitime të kenë studentët që vazhdojnë studimet e larta në degët më të mira ose më të preferuara të universiteteve, më pastaj të tjerët. Madje jo vetëm kaq, por këshilltari i kryeministrit për Arsimin ka bërë të ditur se mund të ketë edhe degë universitetesh për të cilat nuk do të ketë kuponë për studentët, por për këta të fundit, sipas Musait, do të shihen disa përftime të tjera pa kupon.
Karta
Karta e Studentit, megjithëse në mesin e vitit të kaluar arriti të mbërrinte vetëm në duart e pak studentëve të Universitetit të Tiranës, sërish mbeti pa asnjë vlerë. Sipas përfaqësuesve të arsimit të lartë, Karta e Studentit do të ishte një dokument tepër lehtësues për xhepat e të rinjve që ndjekin universitetin. Për këtë, asokohe, Ministria e Arsimit bëri të ditur edhe se do të publikonte për universitetet udhëzimin e veçantë për pajisjen me Kartën e Studentit, një dokument përmes të cilit studentët e arsimit publik dhe jopublik do të përfitonin shërbime me çmime të reduktuara. Ndërsa përsa i përket shpenzimeve, përfitimet e studentëve nga përdorimi i Kartës së Studentit, do të përballoheshin nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit të për Ministrinë e Arsimit. Ndërkaq, në këtë “fushatë” për pajisjen e studentëve me Kartë, u përfshi jo pak edhe Qeveria Studentore, sipas së cilës, zbatimi i Kartës së Studentit, konsiderohet si një domosdoshmëri, që do të ndihmojë në përfitimet që do të kenë studentët, por edhe në mënyrën se si universiteti menaxhohet.
Përfitimet
Megjithëse deri tani nuk janë bërë ende të ditura se cilat do të jenë përfitimet që do të kenë studentët nga pajisja me Kupon, por me shumë gjasa këtij të fundit do t’i mbivendosen ato që ka pasur edhe Karta e Studentit, që mbeten vetëm në letër. Në bazë të Kartës, parashikohej që studentët të kishin një sërë lehtësirash në të gjitha vendet, si me tarifa të zbutura dhe tarifa të veçanta. Karta do të përfshinte shumë shërbime lehtësuese për studentët si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Kështu, ishte parashikuar që studentët e vitit të parë të përfitonin falas ekzaminimet dentare, sigurimet shëndetësore, ndërsa për vajzat studente, vizitat mjekësore do të ishin falas. Ndërkohë transporti urban, institucionet kulturore, qendrat e internetit, bibliotekat, apo edhe shërbimet e tjera do të ofronin çmime të arsyeshme për çdo student. Karta do të prodhohej dhe shpërndahej një herë në vit nga agjencia e posaçme, që do të ofronte më shumë mundësi dhe shërbime për studentët. Një pikë tjetër e rëndësishme, që ju shtua Kartës së Studentit gjatë miratimit të Parlament ishte shtesa në ligjin “Për Sigurimet shoqërore”, ku për studentët e vitit të fundit të çdo universiteti mund të aplikohet edhe sigurimi i papunësisë. Studentët në këtë rast duhet të paguajnë 6 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, si pagesë papunësie. Kjo u siguronte atyre pagesë papunësie për një vit, në rast se ata nuk kishin gjetur punë pas mbarimit të shkollës së lartë.

Ndryshimi i skemës së financimit, do të pasohet me sistem i ri pranimi
Ndryshimi i skemës së financimit të universiteteve do të pasohet me një sistem të ri për pranimin e studentëve. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, paralajmëroi para pak kohësh ndryshimin e sistemit të pranimit në universitete, si një implikim direkt i reformës së re të financimit të universiteteve. Sipas kreut të Arsimit, implementimi i modelit të ri të financimit të universiteteve do të kushtëzojë një ligj të ri të arsimit të lartë ose shumë të ndryshuar dhe do të kushtëzojë edhe ndryshime në sistemin e pranimit, sepse universitetet do të kenë një nivel shumë të lartë të autonomisë, do të luftojnë në tregun e punës me profilet e tyre. Ky ndryshim duket se do të jetë rrënjësor, pasi ministri Tafaj, ka deklaruar se “nuk mund t’i mohohet e drejta universitetit që të marrë në intervistë apo ta studiojë më mirë profilin e studentit se sa përputhet me aplikimin e tij për një drejtim të caktuar të studimeve”. Aktualisht, në Ministrinë e Arsimit është ngritur një grup pune me specialistë të fushës, i cili është duke punuar për hartimin e një pakete rregullash mbi mënyrën e re të financimit të universiteteve publike në vendin tonë. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, parim bazë mbi mënyrën e re të financimit do të jetë konkurrenca apo rivaliteti mes këtyre institucioneve, në mënyrë që fondet më të mëdha t’i marrë më i miri. Po kështu, specialistët e MASH-it bëjnë të ditur se shpërndarja e këtyre fondeve do të mbështetet edhe mbi një kriter tjetër, atë të mirëmenaxhimit dhe shkallës së realizimit të investimeve të planifikuara nga çdo institucion i arsimit të lartë. Aktualisht, drejtuesit e universiteteve publike në vendin tonë, përveç fondeve vjetore që marrin nga buxheti i shtetit, lejohen që të menaxhojnë vetë paratë që grumbullojnë si institucione nga pagesat e studentëve, apo të ardhura të tjera. Kjo në përputhje me autonominë universitare që garantohet edhe nga ligji për arsimin e lartë. Ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Arsimit pohojnë se pas miratimit të ndryshimeve të fundit, drejtuesit e këtyre universiteteve do të duhet që të konkurrojnë me projekte në mënyrë që të përfitojnë financimet e dëshiruara.

Virozat e stinës
ISHP: Nuk përbëjnë rrezik gripal për popullatën

Virozat e stinës nuk përbëjnë rrezik gripal për popullatën në vendin tonë. Siguria jepet nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), të cilat deklarojnë se edhe pse rastet e pacientëve që paraqiten pranë qendrave shëndetësore me simptoma të gripit të zakonshëm shkojnë çdo javë mbi 14 mijë, në vend nuk qarkullon grip i zakonshëm, por thjesht viroza të stinës. Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, shprehet se këto viruse nuk sjellin rrezik të madh tek popullata. “Në Shqipëri vazhdojnë të qarkullojnë viroza të tjera me rrezikshmëri të ulët. Ne regjistrojmë çdo javë në vendin tonë rreth 14 mijë apo 14 mijë e 500 raste me viroza, kryesisht tek fëmijët. Shtrimet kanë rënë. Pra ka shumë më pak raste të rrezikshme”,- tha Ylli. Më tek, drejtori i Shëndetit Publik sqaron se për këtë fluks të madh analizash, ISHP-ja i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme, por krahas kësaj ai shprehet se jo të gjitha mostrat analizohen. “Aktualisht ne jemi duke rishikuar strategjitë tona. Nuk e kemi hequr vigjilencën nga problemet serioze si ato të lidhura me gripin për të parë edhe ndonjë virus tjetër qarkullues. Nga këndvështrimi i Shëndetit Publik rrezikshmëria ka rënë dhe për këtë arsye ne i përdorim me shumë kujdes burimet tona”,- pohoi Ylli. Ndërkaq, përsa i përket vaksinës kundër gripit të zakonshëm, këtë vit, e reja do të jetë se në përbërje të shtameve të saj ka dhe shtame ndaj virusit A/H1N1.

8 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›