E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryqezohet Ferguson. Kritikoi arbitrin 5 ndeshje jashte

Federata Angleze e Futbollit ka “kryqëzuar” Aleks Ferguson, duke pezulluar me pesë ndeshje trajnerin e Manchester United vetëm se kritikoi arbitrin pas humbjes me Chelsea në ndeshjen e fundit të Premier Ligës. Trajneri kishte bërë të ditur se arbitri i kësaj sfide nuk ishte treguar në lartësinë e duhur dhe se i druhej kësaj që në momentin kur kishte mësuar emrin e tij.

Këto deklarata nuk janë pritur mirë nga federata angleze që ka dhënë dënimin maksimal për Aleks Ferguson. Po ashtu, trajneri duhet të paguajë një gjobë të majme prej 35 mijë euro. Manchester United ka reaguar nëpërmjet një komunikate për shtyp të publikuar në adresën zyrtare të klubit në internet, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë, ndërsa ka bërë të ditur se do ta apelojë me shpresën për të ulur dënimin ndaj teknikut.

Nëse apeli do të vendosë të mbajë në fuqi pezullimin e parë, atëherë Aleks Ferguson nuk do të jetë në pankinën e skuadrës së tij në katër ndeshjet e ardhshme të kampionatit anglez kundër Bolton, West Ham, Fulham dhe Everton si dhe në sfidën gjysmëfinale të Kupës kundër Manchester City që do të luhet në “Wembley” të Londrës.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›