E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ksamili, magnet për të huajt. Turistët rrëfejnë për ndjesitë

Qershori sapo ka hyrë, ndërsa frekuentimi në plazhet e Ksamilit jep përshtypjen se gjendesh në një muaj tipik veror.

Kjo ndjesi të krijohet sapo ke hyrë në këtë qytet turizmi, kur në trotuaret e rimodeluara për këtë verë sheh të lëvizin drejt plazheve apo bareve grupe të huajsh. Nga Hungaria, Italia e Polonia, Bullgaria, Brazili e Anglia, Rumania, Gjermania e vende të tjera, të moshave fare të reja apo të moshës së thyer, ata tregojnë çfarë i ka sjellë dhe i ka bërë të ndihen të mrekulluar në Ksamil.

“Njerëz të bukur. Ushqim i mirë. Po i shijojmë këto ditë këtu.“

“Jam nga Hungaria. Kam një javë këtu.“

Ajo çfarë kanë parë, dëgjuar apo lexuar për Ksamilin në vendet nga vijnë duket se u ka ngacmuar padurimin për t’u gjendur në brigjet e këtushme, pa pritur muajt e verës.

Ngado që të ndalesh kamerën, Ksamili ka ndryshime që nuk i krahason dot as me një vit më parë. Në të është ndërhyrë fuqishëm me investime në infrastrukturën rrugore dhe me sinjalistikë turistike. Vetëm investimi për zgjerimin e rrugës hyrëse duket se do të dojë edhe shumë kohë akoma, për një mirëseardhje edhe më dinjitoze në një Ksamil me profil tërësisht turistik.

Ata që ofrojnë shërbime turistike në Ksamil i sheh të kënaqur me startin e sezonit. Ata i dëgjon të ankohen më pak se në Sarandë për klientelën e pakët në numër edhe sepse, për shkak të veçorive natyrore dhe strukturave që ofrojnë intimitet dhe familjaritet në Ksamil, atyre u ka rënë për pjesë turisti cilësor.

Ankesa e vetme që dëgjuam nuk ishte për tipologjinë e turistit, as për numrin e ulët të tyre, por për kohën, sepse ndër befasitë e muajit maj ishte edhe ajo që ditët e fundit deti i egërsuar u rrëmbeu rërën e plazheve, që dihet se në Ksamil nuk janë natyrale, por të investuara.

“Ne shpresojmë që të kemi sa më shumë turistë këtë sezon. Janë të mirëpritur të gjithë, nga të gjitha anët e botës. Ksamili ka shumë gjëra të bukura për të vizituar, ishujt e bukur, Butrintin, Lëkurësin, Syrin e Kaltër,” thotë një administrator plazhi.

Sezoni 2025 është vetëm në fillimet e veta. Ky sezon i ri pati një çelje të bukur, sepse dy ditë përpara ditës së parë të këtij qershori, Ksamili u prezantua me Panairin e Midhjes dhe me recetat e gatimit të saj, me promocion të ofertës së sivjetme dhe me degustim e art.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›