E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafiku ‘’paralizon’’ Lezhën, fluks i lartë i automjeteve në fundjavë

Sezoni turistik ka shtuar numrin e automjeteve që lëvizin në rrugët që përshkojnë qarkun e Lezhës, duke krijuar trafik të rënduar dhe shpesh herë kaos në lëvizje, deri në 6 orë pritje. Numri i lartë i pushuesve që zgjodhën për të kaluar fundjavën në plazhet e Velipojës, Shëngjinit dhe Tales solli këtë situatë kaotike.

Situata u reflektua edhe në rrugën e re Shëngjin-Velipojë, ndërsa një nga pikat më problematike është konstatuar në zonën e Ranës së Hedhun.

Nga ana tjetër pushteti vendor në Lezhë prej datës 1 qershor ka marr masa në funksion të krijimit të lehtësirave duke ndaluar qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në zonat turistike gjatë gjithë sezonit veror, ndërsa automjetet që furnizojnë njësitë e shërbimit do të lejohen të lëvizin vetëm gjatë orëve të natës.

“Mjetet e rënda janë ndaluar në mënyrë kategorike nga 1 qershori deri në shtator, ndërsa për mjetet e furnizimit për bizneset janë lënë orare të veçanta gjatë natës”, u shpreh Fatjon Zefi, N/kryetar i Bashkisë Lezhë.

Për të reduktuar ngarkesën në qendrën e Shëngjinit, janë hequr edhe parkingjet anësore përgjatë rrugës kryesore, ndërsa bashkia në koordinim edhe me pronarët privatë po punon për të kthyer pronat e tyre në hapësira parkimi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›