Ksera: Nuk do të rritet mosha e daljes në pension
Të gjitha ata persona që janë në prag të daljes në pension dhe që janë ende dyshues nëse mosha do të rritet, duhet të qetësohen pasi një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Garancia për këtë ka ardhur nga ministri i punës Spiro Ksera, i cili tha se nuk do ketë rritje të moshës për daljen në pension, por sipas tij mosha do të indeksohet në bazë të ligjit të sigurimeve shoqërore.
Pasi ka raportuar në komisionin e çështjeve sociale, për sa i përket politikave të ndjekura nga ministria e punës për trajtimin e moshës së tretë, Spiro Ksera sqaroi për mediat se aktualisht po punohet një draft ligj nga ministria dhe grupet e interesit i cili më pas do të dërgohet në qeveri për tu miratuar.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe organiziatave jofitimiprurëse që përfaqësojnë moshën e tretë kanë kërkuar nga ministria e punës që strategjia e hartuar nga kjo ministri të përfshijë gjithë problematikën me të cilën hasin të moshuarit, dhe që lidhet me kushtet e jetesës, me trajtimin spitalor, me trajtim në qendrat ditore dhe në qendrat afatgjata etj.