E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera Shkoder Shebimet ndaj grupeve ne nevoje prioritet i qeverise

“Rritja e numrit të shërbimeve ndaj grupeve në nevojë dhe e cilësisë së tyre është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare”, është shprehur në fjalën e tij Ministri i Punës, dhe Shanseve të Barabarta Spiro Ksera, gjatë një vizite zhvilluar në Qendrën Sociale jopublike “ Projekti Shpresa” në rrethin e Shkodres.

Duke vlerësuar kontributin që organizatat joqeveritare kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në ofrimin e shërbimeve sociale komunitare në të gjithë vendin, Ministri Ksera tha se, “Qeveria dhe Ministria e Punës janë të angazhuara që të forcojnë bashkëpunimin me OJF-të e licensuara që ofrojnë shërbime në interes të komunitetit dhe me pushtetin vendor, me qëllim rritjen e mbështetjes për të gjitha kategoritë në nevojë”.
“Qeveria është shumë e ndjeshme ndaj zgjidhjes së problematikës sociale, ndaj nëpërmjet hartimit të politikave efikase dhe rritjes progresive të fondeve në këtë fushë nga viti në vit, është angazhuar për uljen e varfërisë, rritjen e mbështetjes financiare për grupet në nevojë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara si dhe rritjen e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve sociale publike”, vuri në dukje Ministri i Punës.

Sipas Kserës, “gjatë këtij viti fondet e akorduara nga buxheti i shtetit për investime në qendrat sociale kanë qenë të larta. Kështu, po punohet për rikonstruktimin dhe kthimin në sistemin shtëpi familje të Shtëpisë së Fëmijës ‘Zyber Hallulli’ në Tiranë, Qendrës së pritjes së viktimave të trafikut, etj.”

Shoqata “Projekti Shpresa” funksionon prej 16 vjetësh në vendin tonë dhe është e licensuar nga MPÇSSHB. Në qendrën e ngritur prej saj ofrohen shërbime rezidenciale dhe ditore për 94 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, një pjesë e të cilëve vijnë nga institucionet e përkujdesit shoqëror. Qëllimi i shoqatës është mbeshtetja dhe ndihma për personat me aftësi të kufizuara për arritjen e autonomisë personale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›