Ksera në Itali, marrëveshje për migracionin e punës

Ministri i Punës, Spiro Ksera, zhvilloi një takim zyrtar në Itali, gjatë të cilit u takua dhe bisedoi edhe me homologun e tij italian, Maurizio Saçoni.
Takimi mes dy ministrave u mbyll me nënshkrimin e Memorandumit dypalësh të Mirëkuptimit për zbatimin e Marrëveshjes për Migracionin e Punës, i cili do të mundësojë lehtësimin e procedurave të përzgjedhjes, dhe integrimit të shtetasve shqiptarë në tregun italian të punës.
Sipas ministrit Ksera, firmosja e këtij Memorandumi në një kohë të tillë kur kriza ekonomike ka përfshirë shumë vende, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi do t`u mundësojë shtetasve shqiptarë që të përfitojnë punësim edhe në tregun italian të punës.
Ministri Saçoni vlerësoi si mjaft pozitive menaxhimin e deritanishëm të problematikës së flukseve migratore mes dy vendeve, praktikë e cila do çohet më tej nëpërmjet firmosjes së këtij Memorandumi.