Kabashi:Deputetët nuk gëzojnë imunitet, për vepra penale

Kryeprokurori i Republikës së Kosovës, Ismet Kabashi, ka deklaruar se çështja e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës është rregulluar me ligjin për të drejtat dhe detyrat e deputetëve, i cili parasheh heqjen e imunitetit. Sipas tij, imuniteti ka të bëjë me ndjekjen penale dhe deputetët nuk gëzojnë imunitet për vepra penale, të cilat i kryejnë jashtë fushëveprimit të tyre si deputetë.
Por, sipas tij, në ligj nuk thuhet se cili është ai organ kompetent që duhet t`i drejtohet Kuvendit për kërkimin e pëlqimit për arrestim, apo ndalim të deputetit. Për këtë arsye, kryeprokurori Kabashi konsideron se këtë çështje duhet ta rregullojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si i vetmi organ kompetent për interpretimin e kushtetutës.
“Ne kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat janë respektuar dhe një vendim apo interpretim i Gjykatës Kushtetuese do ta zgjidhte njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha rastet e ardhshme eventuale këtë çështje”.
Kryeprokurori Kabashi thotë se ai nuk ka pasur asnjë kërkesë që të hiqet imuniteti ndonjë deputeti, i cili ka kryer ndonjë vepër penale gjatë ushtrimit të detyrës si deputet.