E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, si duhen renditur preferencat

20/07/2011  MASH shpall paketën informuese me detajet për caktimin e degëve që ju bëjnë fitues

Pikët e mbledhura mund t’u bëjnë fitues në disa programe, por ju pranoheni në preferencën më të lartë.

Gara për pranimet në universitete publike ka mbërritur në fazën e saj më të rëndësishme, që ka të bëjë me renditjen e degëve ku maturanti do të vijojë studimet e larta publike. Duke filluar nga dita e nesërme në shkolla do të shpërndahet formulari A-2, ku për plotësimin e tij maturantët do të kenë një javë kohë në dispozicion. “Dorëzimi nga maturantët nëpër shkolla do të bëhet më datën 28. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë presion ndaj maturantëve për dorëzim për dy apo tri ditë. Kanë shtatë ditë në dispozicion. Çdo maturant në mënyrë absolute nuk është e lejueshme që të marrë formularin origjinal, por fotokopjen e tij, sepse formularët origjinalë administrohen nga shkolla”, - ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kreu i Agjencisë së Pranimeve Arben Fagu. Ministria e Arsimit tashmë ka shpallur paketën informuese mbi këshillat dhe rregullat që duhet të ndiqen për bërë një renditje sa më të drejtë të degëve, në mënyrë që të shpalleni fitues në programet e caktuara. “Është e këshillueshme që maturanti ta ruajë dhe një fotokopje të formularit të tij të plotësuar dhe firmosur. Maturantë, kujdes në plotësimin e saktë të formularit! Studiojeni, konsultohuni, provoni në fotokopje dhe vetëm pasi të jeni të bindur plotësoni origjinalin. Ju do të shpalleni fitues vetëm në një program studimi dhe programin e studimit tuaj të preferuar e përcaktoni me plotësimin e saktë të këtij formulari”, - konfirmojnë ekspertët.

Ndryshueshmëria e preferencave

Para se të plotësoni preferencat, konsultohuni me familjen, diskutoni me të afërmit dhe nga lista që formuat me shënimet që mbajtët më sipër formoni një listë, ku programet e studimit i rendisni sipas prioritetit të preferencave. I pari duhet të jetë programi i studimit që preferoni më shumë, i dyti ai që preferoni nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Preferenca më e lartë është ajo që është renditur e para në listë. Kjo gjë duhet bërë për shkak se mbi bazë të preferencave dhe renditjes së tyre do të shpallen fituesit për secilin program studimi. Kontrollohet preferenca 1, nëse aty jeni fitues, aty shpalleni si i tillë dhe mund të regjistroheni në degën përkatëse. Nëse nuk jeni fitues në preferencën 1, kontrollohet preferenca 2 e kështu me radhë deri në preferencën e fundit. Shpalleni fitues në preferencën më të lartë në të cilën keni grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë). Sipas rregullores, maturantët do të jenë fitues vetëm në një program studimi: në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera. Procesi i përllogaritjeve do të bëhet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Në këtë listë evidentohen dhe fituesit. Një kandidat mund ta shohë veten brenda listës së fituesve në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program studimi që i takon preferencës së tij më të lartë në këtë grup preferencash. Pasi të keni vendosur renditjen e programeve të studimit sipas preferencave, nga 1 në 10, vetëm atëherë jeni të gatshëm për të plotësuar formularin A-2.

Kujdes!

Gjatë plotësimit të formularit A-2 shikoni me kujdes secilin program studimi, sepse për universitete të ndryshme për disa nga programet e studimit shënohen në kllapa filialet e qyteteve, në të cilat këto programe studimi zhvillohen, si dhe kohëzgjatja e studimeve për programe të caktuara. Përpiquni të matni forcat tuaja dhe të zgjidhni programe studimi ku keni probabilitet më të madh të fitoni. Kjo realizohet duke krahasuar pikët tuaja të grumbulluara me pikët e fituesit të fundit në 3-4 vjetët paraardhëse për secilin program studimi të përzgjedhur nga ana juaj. Pikët e fituesit të fundit për të gjitha programet e studimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen zyrtare të internetit të MASH-it dhe për t’ju krijuar lehtësi maturantëve i janë bashkëngjitur edhe udhëzimi me të cilin shoqërohet formulari i preferencave. Përcaktimi i fituesve ndërmjet maturantëve kandidatë për studime në institucionet e arsimit të lartë publik për viti do të realizohet sipas parimit meritë-preferencë, duke verifikuar pikët totale të maturës me renditjen e preferencave. Përveç këtyre merren në konsideratë dhe plotësimi të kritereve të veçanta, të vendosura nga institucionet e arsimit të lartë dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit për degë të caktuara universitare.

2. ZGJEDHJA E PREFERENCAVE

• Në të djathtë lart të formularit A-2 ndodhen 10 treshe kuadratesh me numrat rendorë përkatës (në të majtë) nga 1 deri në 10. Këta numra rendorë përfaqësojnë numrin e preferencës. Gjatë plotësimit të këtyre kuadrateve duhet shumë kujdes, sepse operatorët këto të dhëna fusin në sistemin informatik.

• Siç shihet, për secilën preferencë ka 3 (tri) kuti. Në çdo kuti shënohet një shifër e qartë dhe pa korrigjime. Numri i formuar përfaqëson kodin e programit të studimit që keni zgjedhur për atë preferencë. P.sh. në kutinë me nr. 1 është shkruar shifra 013. Kjo do të thotë se programi i studimit me preferencë të parë (më të lartën) është Inxhinieri matematike dhe informatike në Universitetin e Tiranës.

• Pasi plotësohen kutitë e të dhjetë preferencave me shifra, do të plotësojmë kutitë para emërtimeve të programeve të studimit me shifrën përkatëse të preferencës. Shifra duhet të jetë e shkruar qartë dhe me stilolaps me ngjyrë të zezë.

• Nëse në preferencën 1 (në krah të nr. 1) kemi shkruar 013, do të shkojmë në listën e programeve të studimit dhe do të gjejmë programin e studimit me kod 013. Në kutizën para këtij programi studimi do të shënojmë numrin 1. Pra, në listën e programeve të studimit numri në kutinë përpara tregon renditjen e preferencës dhe në tabelën e preferencave (lart dhe djathtas) pasqyrohen kodet e programeve të studimit sipas renditjes preferenciale. Përputhja midis tyre duhet të jetë e plotë.

• Në listën e programeve të studimit nuk mund të ketë më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjithë kutitë e tjera do të jenë bosh.

• Vazhdojmë me preferencat e tjera. Në figurë jepet shembulli i mbushjes së preferencave 1, 2 dhe 3, që janë përkatësisht 013 - Inxhinieri matematike dhe informatike në Universitetin e Tiranës; 003 - Gjuhë letërsi në Universitetin e Tiranës, 001 - Histori në Universitetin e Tiranës, e kështu me radhë mbushen dhjetë ose më pak preferencat tuaja.

• Ja si do të jenë të plotësuara kutitë para programeve të studimit përkatës (figura djathtas).

• Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm.

• Në rastet kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të tabelës së preferencave (lart dhe djathtas) mbushen detyrimisht me shifrën 000. Rekomandojmë të mos humbni mundësi, zgjidhni dhjetë programe studimi.

• Kujdes, maturantët kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs, si arte, sporte, arkitekturë, FASTIP etj. dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës, përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë.

Diferencimet e pikëve

“Maturantët duhet të bëjnë kujdes në listimin e degëve ku duan të ndjekin studimet e larta. Specialistët këshillojnë që të parat preferenca duhet të jenë ato degë universitare që janë të ngjashme me llojin e shkollës së mesme që ka mbaruar nxënësi. Në këtë rast kandidati do të sigurojë më shumë pikë në rezultatin përfundimtar sesa pikët që mund të arrinte po të rendiste degë të profilit të kundërt. Kjo pasi koeficientet që përfshihen në procesin e llogaritjes janë më të larta për profilet e ngjashme të fakulteteve me llojin e shkollës së mesme. Përllogaritjet e bëra kanë treguar se përzgjedhja e profileve diametralisht të kundërta do të shoqërohet dhe me rënie të ndjeshme të pikëve. Kështu, nëse maturanti që ka mbaruar për drejtim shoqëror, por në listë vë të parat lëndët e profilit natyror, mund të humbasë nga përllogaritja jo pak, por 1000 pikë, ose më shumë. Kjo mund të jetë fatale për të, sepse jo vetëm merr më pak pikë, por kjo diferencë mund ta eliminojë nga kuotat e përcaktuara për fituesit”, - pohohet nga specialistët e Ministrisë së Arsimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›