Vizat, Merkel dhe Gordon përgëzojnë Berishën

Kancelarja gjermane Angela Merkel uroi dje përmes një letre Kryeministrin Berisha për arritjen e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Znj. Merkel e cilëson në letrën e saj këtë proces si një moment historik për popullin shqiptar. Më tej ajo i shkruan Kryeministrit Berisha se ky vendim jo vetëm që do të lehtësojë marrëdhëniet ekonomike, por gjithashtu edhe kontaktet ndërpersonale midis qytetareve të Evropës. Për zonjën Merkel, Shqipëria tashmë ka arritur këtë objektiv të rëndësishëm për qytetarët e saj, që sikundër shton është dhe në interesin edhe të vetë vendeve të unionit. Ajo shprehet e kënaqur për sigurimet e Kryeministrit në letrën dërguar Kancelares më datën 8 nëntor, ku thuhet se qeveria shqiptare po punon për parandalimin dhe mënjanimin e abuzimeve të mundshme me liberalizimin e vizave.
Një tjetër urim në adresë të Kryeministrit Berisha vjen kësaj radhe nga Shtetet e Bashkuara, përmes zëvendëssekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Philip Gordon. Në letrën drejtuar kreut të qeverisë, zyrtari i lartë e cilëson vendimin e 8 nëntorit si një njohje e shumë përpjekjeve të bëra nga qeveria shqiptare që reflekton aspiratat e qytetarëve shqiptarë.
Sipas zotit Gordon, ky hap i rëndësishëm përforcon progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më tej, në emër të SHBA-ve, zyrtari i lartë amerikan mbështet fuqimisht integrimin e plotë të Shqipërisë në komunitetin euroatlantik. Sipas tij, ndërveprimi në rritje midis qytetarëve të Shqipërisë dhe shteteve anëtare të BE-së është një pjesë jetike e këtij integrimi.