Arrestohet italiani që “fshihet” pas Star Airways

Pronari i kompanisë italiane që mashtroi udhëtarët shqiptarë, është arrestuar për mashtrim ndaj shtetit italian në Vinçenza
Vinçenco Sodu (Vincenzo Soddu), një nga njerëzit pas kompanisë ajrore Star Airways, e cila pak muaj më parë anuloi krejt papritur për tri ditë rresht fluturimet nga Shqipëria, duke sjellë kaos tek blerësit e biletave, u arrestua dy ditë më parë në Itali, duke u akuzuar për mashtrim. Gazeta “Standard” kishte njoftuar më parë.
Soddu, pronar i MyAir në Itali dhe i një sërë kompanive të tjera mashtruese, rezulton sipas investigimit të prokurorisë italiane se kishte kaluar 8 milionë euro në Shqipëri për të themeluar Star Airways, me fonde që i kishte përfituar nga paratë publike italiane me qëllim hapjen e destinacioneve drejt Barit dhe Brindizit, çka dyshohet se është mashtrim me fondet e shtetit italian.
Ndërkaq, sipas gazetës italiane “Corriere della Serra”, i biri i Sodus, Luka (Luca), është në kërkim, duke qenë se ishte drejtues administrativ i kompanive të të atit. Tetë persona të tjerë u arrestuan krahas Sodus, përkatësisht dy ish-administratorë të kompanisë, tre anëtarë të bordit drejtues, një revizor dhe dy agjent marketingu.
Akuza dhe Star Airways
Ata akuzohen nga Prokuroria e Vinçencës, urdhri i arrestit u lëshua nga gjykata e qytetit italian, si përgjegjës për falimentimin e kompanisë së udhëtimit ajror me kosto të ulët, MyAir me qendër në këtë qytet, si edhe për falimentimin e kompanisë bijë “Lte” me qendër në Spanjë. Për Sodut masat janë ndërmarrë edhe nga Policia Financiare e Vinçencës.
Nga kërkimi i prokurorisë italiane, i cili është ende në vazhdim, rezultoi se përafërsisht 8 milionë euro ishin kaluar nga MyAir në favor të kompanisë së sapokrijuar shqiptare në vitin 2009, me emrin Star Airways, që ishte krijimi i fundit i Luka Sodus, që ishte themelues edhe i kompanive Volari, Alpi Eagles dhe i falimentimit të MyAir. Sipas shkrimit të “Corriere della Serra”, qëllimi ishte mashtrimi me të ardhurat e kompanive.
Star Airways në Shqipëri
Në fillim të shtatorit të këtij viti, krejt papritur, kompania “Star Airways”, e Sodus, ndërkohë që kishte prenotuar fluturime në destinacione të ndryshme, nuk dërgoi avionët në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë. Për tri ditë rresht, persona që kishin blerë biletat e kompanisë, vërviteshin në aeroport në pritje të ndonjë të reje, që nuk erdhi kurrë, ose të paktën të rimbursimit të biletave të tyre.
Ditën e katërt të këtij skandali, Drejtoria e Aviacionit Civil pezulloi fluturimet e kompanisë Star Airways, pasi kjo ka anuluar për tri ditë radhazi fluturimet drejt Italisë, pa bërë asnjë njoftim paraprak, duke krijuar një gjendje kaosi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Në një komunikim për mediat, drejtori i Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, njoftoi atë kohë, pezullimin e përkohshëm të fluturimeve të kësaj kompanie, e cila ka krijuar një situatë të paprecedentë duke lënë në pritje për orë të tëra me dhjetëra qytetarë.
Kompania në fjalë nuk kishte dhënë asnjë shpjegim për shtyrjen e fluturimeve, duke krijuar kështu një gjendje kaosi dhe irritimi ndërmjet udhëtarëve. Këta të fundit dhe Drejtoria e Aviacionit Civil janë përpjekur të kontaktojnë me kompaninë e Sodus për të kërkuar sqarime në lidhje me incidentin, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Nuk kemi asnjë lloj komunikimi zyrtar nga ana e kompanisë. Në rast se kompania do të kishte probleme teknike, ajo duhet të bënte njoftim me shkrim, në radhë të parë dhe, në radhë të dytë, të bënte një kërkesë për mbrojtjen e pasagjerëve nëpërmjet një operatori tjetër ajror. Në kushtet e një situate të jashtëzakonshme, të paprecedentë jemi të detyruar të pezullojmë operimin e kompanisë italiane, deri në një moment të dytë, deri në sqarim me kompaninë”, - ishte shprehur atëherë Mazniku, drejtor i Aviacionit Civil.
Skandalet e Sodus
Skandali i Sodus me këto kompani kishte të bënte me bilancet false të kompanive të tij, pasi aty mendohet se mungojnë rreth 700 milionë euro dhe dëme ndaj shtetit, duke çuar në mbetjen pa punë të 600 punëtorëve. Policia ekonomike italiane ka konfiskuar prona me vlerë më shumë se 20 milionë euro që ishin nën pronësinë e Sodus dhe bashkëpunëtorëve të tij në më se 10 qytete italiane.
Mashtrimi ndaj shtetit kishte të bënte kryesisht me një tender të Rajonit të Puljas, që kishte dhënë afërsisht 18 milionë euro ndaj kompanisë, nëpërmjet aeroportit të Puljas, me qëllim që të hapeshin destinacione të reja ajrore drejt Barit dhe Brindizit. Avokati i Aeroportit të Pulias tha se këto para ishin dhënë në bazë të një kontrate të rregullt, për të subvencionuar biletat e udhëtarëve dhe se nuk kishte shpërdorim të parave publike. Nga këto, mendohet se 8 milionë euro janë përdorur për Star Airways në Shqipëri.
Skandali i pritur i Star Airways
Shkrimi i “Corriere” publikuar në “Standard” në shkurt të këtij viti që paralajmëronte se kishim të bënim me një kompani me probleme
«Alo, mirëmbrëma, po kërkoj doktor Soddun». «Vincenzo apo Luca?», - përgjigjen nga ana tjetër e receptorit një zë i huaj, që mezi flet italisht, edhe pse numri që ne formuam ka një prefiks të Milanos. Devijimi i telefonatës na ka çuar në fakt në centralin shqiptar të Star Airways ose më mirë kompania ajrore që disa herë gjatë muajve të kaluar kandidoi për të blerë Myair (e cila ishte mbyllur nga Enac në korrik, për vështirësi të mëdha financiare) e për të nisur nga Tirana një numër fluturimesh drejt disa destinacioneve evropiane e italiane. «Është kompania e re e Soddu», - thonë njerëzit në faqet ueb dhe një denoncim i sindikatës disa ditë më parë. «Unë nuk kam të bëj fare, e kam mbyllur me aviacionin, – thotë komandanti Vincenzo Soddu, i cili mban në shpinë falimentimin e “Volare” dhe “Myair”. – Tani jam në Slloveni».
Në të vërtetë prefiksi i numrit me të cilin na merr në telefon, është ai i një operatori celular shqiptar dhe kush e njeh Soddun thotë se kohët e fundit ka kaluar mjaft kohë në Tiranë. «Nëse dikush më kërkon ta ndihmoj (t’i jap një dorë), mund edhe ta ndihmoj, sepse, sidoqoftë, më duhet edhe të punoj», - është ky në fakt i vetmi rrëfim që arritëm t’i nxjerrim. i biri, Luka, është tashmë drejtor i operacioneve të Star Airways (domethënë përgjegjës për organizimin e fluturimeve, për pilotët, ekuipazhin, mirëmbajtjen dhe kështu me radhë), siç edhe na thonë burime të besueshme, por edhe ai mohon. «Ka dhënë një intervistë si pilot, si shumë ish-punonjës të Myair», - thotë i ati. Ndërkohë për të kompletuar portretin familjar, e bija e Soddu, Arianna, pak javë më parë vinte vërdallë në aeroportet italiane, si referente tregtare. Në nëntor ka regjistruar edhe një vizitë në Venecia së bashku me një person që njihet si Valer Hoxha, por mësohet se i kanë bërë me dije që, për të pasur të drejtën për të fluturuar, i duhej të paguante: domethënë që për të fluturuar qoftë nga Marco Polo apo nga Treviso – duke parë precedentët – duhej të jepte parapagim. Sidoqoftë, tani për tani nuk duket se janë kërkuar fluturime në Veneto.
Ndërkohë në Facebook ka lindur një grup «Star Airways. it: attenzione!!», i cili ka arritur 807 anëtarë e në të cilin ftohen njerëzit të mos blejnë bileta të kompanisë së re, kur kjo të hapet, duke vënë alarmin për një tjetër mashtrim të mundshëm. «Koha ka treguar se si janë shfryrë akuzat në rastin Volare (kompani e falimentuar e Soddu), jam i bindur që do të ndodhë e njëjta gjë edhe me Myair», - komenton Soddu. Dje (2 shkurt) ndërkohë gjyqtarët e Gjykatës së Venecias janë mbledhur për të vendosur mbi administrimin e Myair: në rast se nuk do të ketë asnjë zgjidhje tjetër, alternativa është ashtu siç ka kërkuar prokuroria që ka hedhur dritë mbi diferencën e madhe në bilancet e kompanisë, ku humbjet e kompanisë vlerësohen 96 milionë euro. Më 19 shkurt gjyqtarët do duhet të shqyrtojnë edhe pozicionin e “Myholding”, tjetër kompani e Soddu. Për policinë financiare të Vinçencës i gjithë grupi ka një pasivitet (humbje) total prej 215 milionë eurosh.