E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehen në gërmadha tri kisha monument 300-vjeçare

Tri kisha në rrethin e Kolonjës, monumente kulture të kategorisë së parë janë shndërruar në gërmadha vitet e fundit, ndërsa shumë të tjera rrezikojnë ti përndjekë i njëjti fat. Një ndër këto kisha është edhe ajo e Shën Mëhillit në fshatin Shalës. E vendosur aty mes kodrinave plot gjelbërim dhe disi e veçuar nga fshati, kisha që daton në shek XVII, tashmë është vetëm një rrënojë, ndërsa kanë humbur edhe afresket e saj. Pas dëmtimeve të pjesshme ndër vite, ajo ka humbur çatinë dhe një pjesë të mureve të saj. Ky objekt mjaft i rëndësishëm i kultit ortodoks, duket se ekziston vetëm në inventar, por jo në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse që kanë për detyrë mbrojtjen e tyre. Kisha është shpallur monument kulture në vitin 1963, por prej 23 vitesh nuk ka njohur asnjë investim. Për priftin e zonës, At Kristaq Tase situata në objektet e kultit ortodoks, të cilat janë të kartelizuara edhe si monumente kulture është alarmante, për shkak të indiferencës së shtetit. Pavarësisht se kjo kishë është tërësisht e shkatërruar dhe e kthyer në një gërmadhë, banorët e fshatit ndërsa fajësojnë qeverinë për mungesë fondesh tregojnë se turistët e huaj vijojnë të frekuentojnë dhe të kërkojnë në të gjurmë të së kaluarës. "Ka vite që kjo kishë nuk mirëmbahet. Ishte vërtet shumë e bukur dhe me vlera të mëdha historike dhe kulturore, por mosvënia dorë në këtë kishë që është edhe monument kulture, solli shkatërrimin e saj. Megjithatë më duhet të them që ende kjo kishë, edhe pse ka mbetur vetëm një grumbull gurësh, vijon të ngjallë interes për turistët e huaj, të cilët vijnë këtu dhe vizitojnë, fotografojnë dhe mbledhin informacion për kishën. Fajtor për kishën është vetëm shteti, i cili harron të të bëjë detyrën e vet dhe të mirëmbajë këto objekte që janë të një rëndësi tepër të veçantë", -tha Elisabeta Ile banore e fshatit Shalës në komunën Barmash të Kolonjës. Në të njëjtën gjendje vijojnë të jenë edhe kisha e Shën Mërisë në fshatin Cërckë dhe fjetja e Julincës në Barmash. Situata në fjalë pranohet edhe nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Korçë, të cilët të gjendur përballë mungesës së fondeve janë detyruar të heshtin.
Cila është gjendja aktuale e objekteve të kultit në këtë zonë,të cilat janë të kartelizuara edhe si monumente kulture?
Gjendja e objekteve të kultit ortodoks, që janë edhe monumente kulture të kategorisë së parë, është alarmante. Kisha e Shën Mëhillit në fshatin Shalës është shkatërruar tërësisht, po kështu ka ndodhur edhe me kishën e fjetjes së Julincës apo edhe me atë të Shën Mërisë në Cërckë. Janë kisha që datojnë nga shek.XIV deri në XVII, por pavarësisht kësaj këto objekte të kultit ortodoks nuk kanë njohur kurrë investime qoftë edhe të pjesshme nga dora e qeverisë.
Kisha e Shën Mëhillit në Shalës është degraduar totalisht. Pse ka ndodhur kjo?
Ajo kishë është shkatërruar dhe është shndërruar në një gërmadhë pasi nuk është mirëmbajtur. Shteti shqiptar është treguar më shumë se indiferent për këto objekte të kultit ortodoks në këtë zonë dhe nuk ka investuar asnjë qindarkë. Duket e pabesueshme, por ky është realiteti sot në këtë zonë, kishat janë degraduar për faj të indiferencës së shtetit dhe institucioneve përgjegjëse që nuk kanë investuar kurrë për restaurimin e tyre, qoftë edhe për restaurime të pjesshme. Siç e keni parë kisha e Shën Mëhillit, tashmë është pa çati, dhe pa një pjese të mureve, ndërkohë që edhe afresket janë zhdukur nga lagështira. Pra kjo kishë, e cila duhet të mbrohej nga shteti është lënë në mëshirë të fatit duke u kthyer tashmë vetëm në një grumbullë gurësh.
Po dy kishat e tjera?
Edhe ato i ka përndjekur i njëjti fat. Faktori kohë ka bërë të vetën, përballë mungesës totale të investimeve. Prej gati 23 vjetësh këto kisha nuk janë mirëmbajtur dhe nuk është investuar në to. Për shkatërrimin e tyre ka një fajtor të vetëm dhe ky është shteti.
Çfarë ka humbur Kolonja me shkatërrimin e këtyre kishave?
Nuk ka humbur vetëm Kolonja, humbja është më e madhe se kaq. Ato ishin kisha që datojnë më shumë se 300 vjet më parë dhe vlerat e tyre kulturore dhe historike kanë qenë të mëdha. Emrat e këtyre kishave janë të njohura edhe për turistë të huaj, por këta të fundit tani nuk kanë më çfarë të shohin pasi ato janë kthyer në gërmadha sikur të mos kishin vlerat që ato në të vërtetë kanë.
Ju keni kërkuar ndihmën e institucioneve përgjegjëse për kthimin në identitet të këtyre kishave?
Shumë herë kemi trokitur, por përveç premtimeve nuk kemi mundur të marrim asgjë. Ndaj këto kisha, janë në këtë gjendje sot. Një tjetër problem në fakt që ka kisha ortodokse është edhe kthimi i pronësisë, pasi vetëm kështu do të mund të investonte vetë në to. Në fakt sot është e trishtueshme që këto kisha kaq të veçanta si për nga struktura e tyre, por edhe nga arkitektonika janë shkatërruar dhe nuk mund të kthehen më në gjendjen e mëparshme. Ky shkatërrim, ka vetëm një emër -indiferencë shtetërore.
Çfarë kërkoni aktualisht?
Shteti të kthejë vëmendjen në objektet e kultit qoftë në ato ortodokse apo edhe në besimet e tjera. Të investojë dhe të mos lejojë të shkatërrohen kështu vlerat kulturore dhe ato historike. 
(e.m/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›