Kthehen tifozët, Gramozi merr oksigjen pas 6 javësh krizë
Një goli shënuar me 11-metërsh nga Omeraj në pjesën e dytë u ka dhënë tri pikë të çmuara kolonjarëve në fushën e tyre
Gramozi Burreli 10
Shënues: Omeraj 54 (11-metërsh)
Gramozi: Dervishi, Kodra, Fasko, Peçi, Lamaj, Bilibashi, Omeraj, Shupe, Saliko, Nelaj (Musabelliu 76), Hysolli. Trajner: I.Qirjako.
Burreli: Halluni, Gjoka (Ceni 73), Belba, Neli, Hoxha, Skura, Vata, Haxhija, Saliasi, Pepa, Frisku. Trajner: M.Beshiri.
Gjygjtarë: K.Cjapi, I.Tartari, O.Grabova (Fier)
Kartonë të verdhë: Saliko, Skura, Pepa
Karton i kuq: Skura
Në një terren të rënduar nga bora dhe në temperatura tepër të ulëta është zhvilluar takimi Gramozi-Burreli, por përsëri numri i tifozëve ka qenë i lartë, pasi ata riktheheshin pas dy javësh mungesë për shkak të dënimit të fushës.
Të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë takim kanë mbetur tepër të kënaqur nga loja që kanë zhvilluar të dy ekipet, pasi ka qenë tepër korrekte, edhe pse ka pasur kartonë. Për të disatën herë ka rënë në sy loja pa rendiment e sulmit, që ka gabuar shumë, por Gramozi ka arritur të fitojë me një gol të shënuar nga Omera nga pika e bardhë e penalltisë, që është fituar nga një mesfushori.
Kolonjarët, të përshtatur më mirë me terrenin, luajnë më mirë, por rasti i parë i rrezikshëm i tyre shënohet në minutën e 18-të. Bilibashi provon me një gjuajtje jashtë zone dhe topi kalon pranë shtyllës. Dy minuta më pas është Omeraj që kërkon të shënojë, por topi pritet në dy kohë nga portieri mik. Sulmuesi Hysolli del përballë portierit Halluni në të 28-ën, por nuk është në gjendje ta dërgojë topin në rrjetë, për shkak të terrenit të rrëshqitshëm.
Më pas vjen rasti i parë për miqtë, ku Saliasi gjendet përballë portierit Dervishi, por është ndërhyrja energjike e mbrojtësit Peçi që shmang golin, pasi ai ia heq topin nga këmbët. Deri në përfundim të pjesës së parë janë kolonjarët që e zotërojnë lojën dhe rrezikojnë me Shupen, Nelën dhe Hysollin, por pa e mposhtur Hallunin.
Pjesa e dytë është e mirë për vendësit, të cilët rrezikojnë disa herë deri në minutën e 53-të, me anë të Bilibashit, Hysollit dhe Shupes, por pa rezultat. Në të 54-tën Bilibashi shmang mbrojtësit matjanë, futet në zone dhe pengohet nga Saliasi, duke fituar një 11-metërsh, që kthehet në gol nga mesfushori Omeraj.
Edhe pas avantazhit Gramozi kërkon golin e sigurisë dhe sulmon, por mbrojtja e Burrelit nuk lejon që lojtarët e tij ti afrohen zonës. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të kolonjarëve, rezultati mbetet i pandryshuar dhe Gramozi kthehet te fitorja pas 6 javësh. Me këtë 3-pikësh ata ngjisin disa shkallë në klasifikim. Nisur nga rezultatet e fazës së parë, drejtuesve kolonjarë u del për detyrë të futen menjëherë në merkato, pasi faza e dytë është më e fortë.
Trajnerët
Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: Pavarësisht se luajtëm në një terren të vështirë, ekipi arriti të marë një tripikësh tepër të çmuar. Dua të falënderoj futbollistët e dy ekipeve që ishin korrektë në këtë terren kaq të vështirë, duke kënaqur shikuesit e shumtë në stadium. Tashmë na mbetet për detyrë të mendojmë për afrimet që do të bëjmë për fazën e dytë. Ju uroj gjithë ekipeve të kategorisë së parë gëzuar Vitin e Ri.
Mariglen Beshiri, trajner i Burrelit: Ishte një lojë e bukur nga të dy ekipet, pavarësisht terrenit të rënduar me borë dhe të ftohtit, që ka ndikuar në këtë ndeshje. Shpresonim të mernim një pikë, megjithatë mund të them se gjërat shkuan pozitivisht. Patëm disa raste, që nuk i shfrytëzuam. E uroj Gramozin për fitoren dhe gëzuar Vitin e Ri.
