Luftëtari tregon forcën edhe në Mamurras
Me një gol të sulmuesit Arlind Nora ekipi gjirokastrit ka marrë 3 pikë të rëndësishme dhe ka fituar de facto kurorën e dimrit
Mamurrasi Luftëtari 0-1
Shënues: Nora 13
Mamurrasi: Myrtja, Noka, Sharra, Baçi, Matraku, Shima (Demaj 63), Dosti, Pustina, Metaj (Hysa 50), Allamani, Ndreca (Rustemi 46).
Trajner: S.Bardhi.
Luftëtari: Selimaj, Sinani, Laze, Brahimi, Baci, Devolli, Çaço (Kermeo 89), Mersini (Zholi 65), Stoja, Pjetrani (Bistiri 70), Nora.
Trajner: M.Hysi.
Gjygjtarë: A.Janku, F.Mata, A.Nase (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Bistri, Dosti, Zholi
Luftëtari nuk di të ndalet, madje edhe në transfertë. Kryesuesve u ka mjaftuar një gol i Norës në Mamurras për të marrë 3 pikët dhe për tu shpallur kampionë dimri (kanë një ndeshje mangët me Kukësin, ku u mjafton edhe një pikë). Luftëtari e ka dominuar takimin, ka shënuar që në fillim një gol dhe më pas ka ditur ta administrojë rezultatin deri në fund.
Pjesa e parë ka folur për gjirokastritët, ndërsa vendësit kanë reaguar në pjesën e dytë, por nuk kanë mundur të barazojnë. Për shumë minuta Mamurrasi ka luajtur me 10 vetë, pasi është dëmtuar kapiteni Baçi, i cili është përplasur me një nga futbollistët miq.
Ndeshja nis e qetë dhe vendësit duket se nuk kanë forcën e zakonshme në ndeshjet brenda, pasi përballë kanë një ekip me përvojë. Gjirokastritët e studiojnë mjaft mirë lojën e Mamurrasit dhe bëjnë lojën e tyre. Në minutën e 13-të goleadori Arlind Nora, pasi merr një top nga e djathta e sulmit gjirokastrit nga Mersini, gjuan bukur me kokë dhe 0-1.
Luftëtari kalon në epërsi dhe më pas vjen menjëherë një rast i Mamurrasit me Allamanin, por portieri Selimaj grushton bukur. Pas këtij momenti Luftëtari ka epërsi, ndërkohë që lojtarët e Mamurrasit luajnë të shkëputur nga njëri-tjetri. Mesfushorët nuk merren vesh me njëri-tjetrin, duke mos e mbështetur si duhet sulmin dhe në asnjë moment ekipi mik nuk vihet në vështirësi. Miqtë kanë një mesfushë të zhdërvjelltë dhe një mbrojte solide, por edhe një sulm të rrezikshëm.
Pak minuta para fundit të pjesës së parë Stoja ka rastin për ta dyfishuar rezultatin, por gardiani i portës mamurrsake grushton bukur, duke shpëtuar ekipin e tij nga një gol i sigurt. Pjesa e dytë nis më e bukur, me vendësit që kanë iniciativën dhe që kërkojnë ta barazojnë rezultatin. Trajneri Bardhi ndërhyn me zëvendësime, pasi do të paktën barazimin. Në minutën e 60-të Sharra gjuan bukur në ecje e sipër, por portieri mik grushton bukur.
Dy minuta më pas është Pustina që gjuan brenda zones, pasi shfaqet i pambuluar, por Selimaj ka fluturuar dhe e ka grushtuar topin. Për rreth 25 minuta Mamurrasi detyrohet të luajë me 10 vetë, pasi Baçi largohet i dëmtuar me barrelë nga fusha, ndërkohë që ishin bërë të 3 zëvendësimet.
Portieri Selimaj gabon në zotërimin e topit 10 minuta para fundit dhe Allamani ka rastin më të bukur për të barazuar, por finalizon dobët, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Një fitore e meritur e Luftëtarit, që udhëheq kampionatin. Miqtë kanë bindur me lojë, ndërsa Mamurrasi duhet thënë se tashmë është shumë larg pretendimeve për këtë kampionat.
Trajnerët
Sinan Bardhi, trajner i Mamurrasit: Kualitetet që ka ekipi mik bënë diferencën. Në pjesën e parë kishim probleme dhe ndërhymë me zëvendësime, kurse në të dytën dëmtimi i Baçit bëri që të mos arrinim të barazonim, edhe pse loja foli për ne. Megjithatë, Luftëtari është ekipi më i mirë që jemi ndeshur në fazën e parë.
Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Ishim të përgatitur për një ndeshje të vështirë në Mamurras dhe e prisnim reagimin e vendësve. Falënderoj ekipin për lojën e zhvilluar dhe e them me binde se kam fat që punoj me të tillë futbollistë kaq të mirë dhe profesionistë. Edhe pse jemi kampionë të dimrit, kampionati nuk ka përfunduar dhe ne duhet të vazhdojmë të fitojmë. Mamurrasit i uroj suksese.
