Nuk ka fitues në Vlorë, Besëlidhja merr vetëm një pikë
Është mbyllur në barazim pa gola sfida në stadiumin Flamurtari mes vlonjatëve dhe bregdetarëve, rezultat që kënaq më shumë vendësit
Vlora Besëlidhja 0-0
Vlora: Hysi, Bisha, Myderizi, Kaçani, Hoxha (Cërova 78), Strati (Prifti 74), Çaushaj, Serjani, Shabani (Dalipaj 72) ,Skënderaj.
Trajner: A.Haxhiaj.
Besëlidhja: Xhika, Shuti, Peqini, Stojkovic, K.Dibra, Gruda, Jaçaj, Pepaj, Malasi, A.Dibra (Mehja 65), Miçiç. Trajner: R.Kulli.
Gjyqtarë: E.Jorgji, R.Preça, E.Gançi (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Myderizi, Kaçani, Peqini, K.Dibra, A.Dibra
Karton i kuq: Kaçani
Vlora dhe Besëlidhja kanë barazuar pa gola në stadiumin Luftëtari, në ndeshjen e fundit të vitit dhe të fazës së parë. Një ndeshje që ka pasur më shumë emocione gjatë pjesës së dytë, kur të dy ekipet e kanë kërkuar me ngulm golin dhe i janë afruar ndjeshëm, por nuk kanë mundur ta shënojnë atë.
Ndeshja nis e qetë, pa raste të rrezikshme në portat respektive, pasi loja përqendrohet në mesfushë, madje ka edhe shumë ndërhyrje të rënda, që e detyrojnë gjyqtarin Jorgji të nxjerrë kartonë të verdhë. Sinjalin e parë e jep Serjani, i cili godet brenda zonës, por topi largohet nga një mbrojtës mik. Vlora luan më mirë pjesën e parë, por pa pasur rrezikshmëri para portës kundërshtare.
Besëlidhja bazohet te serbi Miçiç, por ai nuk ka mundësi ta kërcënojë seriozisht portën vlonjate. Besëlidhja duket një ekip pa shumë kurajë, por herë pas here kundërsulmon, por pa efikasitet. Pjesa e parë mbyllet në barazim, ndërkohë që 45 minutat e dyta janë më të mira. Besëlidhja dhe Vlora kanë mundësi për të shënuar, por nuk i shfrytëzojnë rastet që u paraqiten.
Vlora mbetet me 10 vetë, pasi Kaçani merr kartonin e dytë të verdhë. Besëlidhja ka mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh, ku Miçiç del përballë portierit Hysi dhe nuk arrin të shënojë, pavarësisht se ka tentuar dy herë. Edhe Vlora ka një rast të artë me Skënderajn afër fundit të të ndeshjes, por në çastin e fundit topi i goditur prej tij devijohet nga Stojkoviç.
Besëlidhja luan më mirë, pasi ka edhe superioritet numerik, ndërsa Vlora i beson kundërsulmit dhe mund ti kishte ndëshkuar miqtë, nëse do ti shfrytëzonte si duhet rastet që krijoi. Nuk ka gol dhe gjithçka mbyllet në barazim.
Trajnerët
Albert Haxhiraj, trajner i Vlorës: Nuk kemi qenë të qartë përpara portës kundërshtare. I kemi pasur mundësitë për të dalë me tri pikë nga kjo ndeshje, por e pranojmë këtë rezultat. Nuk kemi zhvilluar një ndeshje të keqe, madje në pjesën e parë kemi luajtur mjaft mirë. Edhe në pjesën e dytë, edhe pse më një lojtar më pak, mund të kishim bërë më shumë. Tashmë jemi pushim dhe më pas do të mendojmë për fazën e dytë.
Ridvan Kulli, trajner i Besëlidhjes: Nuk jam i kënaqur me rezultatin. Kemi pasur tri raste të mira për të shënuar, por nuk i kemi shfrytëzuar. Ekipi nuk më kënaqi me atë që dha në fushë, pasi ka mundësi për më shumë. Nuk u zbatuan si duhet detyrat nga futbollistët. Prisja më shumë në lojë dhe në rezultat, ndaj e ritheksoj se nuk jam i kënaqur për atë që morëm në Vlorë.
