Kthehet “Black adder”?

Seria humoristike “Black adder” me Rovan Atkinson në rolin kryesor, mund të ketë vazhdimin e saj të pestë dhe këtë 22 vjet pas përfundimit të saj.
Aktori, i cili aktualisht është duke promovuar vazhdimin e filmit mbi agjentin Xhoni Inglish, ka lënë të hapur mundësinë edhe për një sezon tjetër të serisë.
“Seria mund të shfaqet në këtë, apo mënyrën tjetër. Ekziston mundësia të xhirohet edhe pjesa e pestë”, ka thënë aktori pesëdhjetë e gjashtëvjeçar, i cili në këtë seri të popullarizuar aktron Edmond Black Adder.
Së bashku në seri kanë luajtur edhe Stiven Fraj, Hju Lori, Miranda Riçardson dhe Toni Robinson.
“Të gjithë ne jemi pak të vjetër për të luajtur personazhet që kemi pasur para 22 vjetësh. Tash kam karakter tjetër, por do të ishte bukur që të mblidhemi serish së bashku”, ka thënë Atkinson, i cili është bërë i famshëm me rolin e Mr Beann.