Kthehet Presidentja
Presidentja Jahjaga po ashtu mori pjesë në pritjen tradicionale të presidentit të SHBA-ve Barack Obama, ku pjesëmarrës ishin edhe presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm të shumë vendeve të botës.
“Presidentja Jahjaga gjatë qëndrimit në Nju Jork takoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe zhvilloi bisedime bilaterale edhe me presidentët e Austrisë, Bullgarisë dhe të Estonisë si dhe u takua me udhëheqës të tjerë botërorë në disa pritje të organizuara gjatë kësaj jave të Asamblesë së Përgjithshme”, thuhet në një deklaratë për media.
Ajo mori pjesë edhe në konferencën e organizuar nga Presidenti Bill Clinton “Clinton Global Initiative”, ku personalitete të ndryshme të botës diskutojnë çështje globale. Gjithashtu Presidentja Jahjaga mori pjesë edhe në nismën e organizuar nga sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, “Equal Futures Partnership”, një nismë e SHBA-së dhe 12 partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për fuqizimin politik e ekonomik të gruas.