Paqartësi për dialogun
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, do të jetë ndërmjetësuese në bisedimet Kosovë – Serbi dhe pikërisht kjo është arsyeja që dy palët do të duhet të përfaqësohen në nivelin më të lartë në këtë proces.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, pas një takimi me kryediplomaten europiane të enjten në New York.
Nikolic ka thënë se vendimin se kush do ta përfaqësojë palën serbe do të duhet ta marrë Qeveria në Beograd.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që edhet vetë të përfaqësohet në procesin e bisedimeve.“ Qeveria për këtë duhet të mblidhet dhe të përcaktojë se kush duhet të jetë. Unë nuk ik nga kjo, por mendoj se një gjë e tillë nuk do të ishte në rregull”, ka thënë ai. Serbia ka emëruar javën e kaluar Dejan Pavicevic si negociator për bisedimet teknike me palën kosovare, por si duket ky negociator nuk do të bëjë shumë punë.
Nikolic ka folur edhe për punën që duhet ta bëjë negociatori i ardhshëm i Serbisë. “Pasi të definojmë qëndrimet , atëherë ai që do të udhëheqë bisedimet do të shkojë në Bruksel dhe mendojmë se duhet të kërkojmë shumë në mënyrë që të marrim diçka. Mendoj se duhet të shkruajmë se çfarë duam dhe nuk duhet të heqim dorë nga një gjë e tillë”, ka thënë Nikolic.
Pas takimit, Nikolic ka treguar se Ashton i ka pohuar se BE nuk insiston në njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Duke komentuar kërkesën për heqjen e strukturave paralele në veri të Kosovës, Nikolic ka thënë se një gjë e tillë do të ishte promovim i pavarësisë së Kosovës e dhe se kjo do të ishte e pamundur të kërkohej nga Qeveria e Serbisë. Sipas Nikolic, Ashton ka shfaqur një dëshirë të madhe që Serbia të jetë pjesë e BE’së. Por Presidenti serb ka thënë se vendi i tij nuk do të bëjë asgjë brenda natës duke thënë se raportet Serbi – BE do të ndërtohen me durim.
Nikolic ka thënë se Serbia do të përmbushë marrëveshjet që ka arritur Qeveria e kaluar duke theksuar se me këtë dëshiron të theksojë kontinuitetin shtetëror pasi që ndërrimi i pushtetit nuk do të thotë ndërrim i shtetit.
Ai ka thënë se me Ashton është marrë vesh që në Veri të Kosovës të sigurohet menjëherë paqja siguria dhe një jetë më e mirë për qytetarët.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq është shprehur se thelb i bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk duhet të jetë detyrimi i Serbisë për të njohur Kosovën, pasi shteti serb nuk do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në to.
Ai gjatë një konference me gazetarë në Beograd, ka thënë se brenda dhjetë ditësh do të përpilohet strategjia e bisedimeve me Prishtinën duke theksuar se aktualisht askush në botë nuk e di se cili do të jetë formati i bisedimeve Kosovë – Serbi. Dacic madje ka thënë se as negociatorët europianë aktualisht nuk kanë vizion se si do të duket procesi i bisedimeve. Por sipas tij, pas kthimit të Nikolic nga New Yorku do të merret vesh më shumë për procesin.“Është e sigurt se do t’i iket cdo keqpërdorimi në kuptimin që askush nuk mund ta interpretojë si njohje të pavarësisë së Kosovës. Unë tashmë jam ulur me Hashim Thacin në Këshill të Sigurimit dhe kjo nuk ka qenë njohe e pavarësisë” ka thënë Dacic duke u përgjigjur në pyetjen nëse është I gatshëm që të bisedojë me Thaçin. Kreu i qeverisë serbe ka thënë se nuk janë të definuara as temat e dialogut duke thënë se në Bruksel aktualisht konsiderohet e rëndësishme që të ketë bisedime, që nuk është zgjidhja më e duhur.
Zyra e Ashton ka bërë të ditur se nga takimi Ashton do të lëshohet një njoftim për media vetëm gjatë ditës së premte.
Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijancic ka refuzuar të komentojë deklaratat e Dacic se Brukseli aktualisht nuk ka vizion për bisedimet .
“Ne do të kemi një njoftim nesër (të premten), ne po punojmë për fillimin e dialogut për të cilin janë zotuar të dyja palët”, ka thënë Kocijancic në një prononcim për Express.