Kthehet arkivi rus për Shqipërinë e viteve ‘50
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Studio Qendrore e Filmit Dokumentar në Moskë, i Federatës Ruse, do të bashkëpunojnë mbi projektin ”Shqipëria dhe Rusia në filmin dokumentar të viteve ‘50-të”. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në fund të vitit 2010, mes dy vendeve, institucionet e arkivit të filmit do të angazhohen në projektin e përbashkët të njohjes, shkëmbimit dhe propagandimit të filmit dokumentar e kronikal, që ka të bëjë me Shqipërinë dhe Rusinë në periudhën që shtrihet në vitet 1945 - 1961. Projekti që do zgjasë për 4 vite me radhë, parashikon jo vetëm organizimin e shfaqjeve të përbashkëta, takime, shkëmbime materialesh dhe organizimin e aktivitete të tjera kulturore, por mbi të gjitha AQSHF dhe Studio Qendrore e Filmit Dokumentar e Federatës Ruse do t’i sigurojnë njëri-tjetrit akses në fondet reciproke dhe burimet e tjera të informacionit për studiuesit.
Filma të pashfaqur kurrë nga arkivi rus dhe shqiptar
Prezantimi i projektit ”Shqipëria dhe Rusia në filmin dokumentar të viteve 50-të” do të vijojë me organizimin e një jave të filmit rus dhe filmit shqiptar, në Moskë dhe në Tiranë, në bashkëpunim edhe me ambasadat përkatëse, si dhe shfaqjen për herë të parë para publikut të materialeve të pashfaqura më parë nga arkivi rus dhe ai shqiptar. Gjithashtu, do të organizohen veprimtari përkujtimore, përvjetorë e premiera të veçanta për filma, për kineastë dhe për personalitete që kanë punuar, krijuar dhe bashkëpunuar me Shqipërinë për periudhën para viteve ’60, duke sjellë për publikun kujtime të atyre viteve të lulëzimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, të përcjella edhe përmes pamjeve filmike në formë dokumentari ose kronikali. Të dyja palët do të paraqesin ndërkohë listën e materialeve filmike që disponojnë. Arkivi Shtetëror i Filmit në kohën e marrëdhënieve të mira me Rusinë u detyrua të importonte sidomos filma artistikë, por edhe dokumentarë nga Rusia. Fillimisht janë blerë filma artistikë nga regjisorë të njohur rus. Në arkivin tonë ndodhen filma të regjisorit rus Grigori Chukhrai, që u bë shumë i njohur në Perëndim me filmin “Balada e Ushtarit”, prodhim i vitit 1959; filmi “Zonja me kone”, e po këtij viti, e regjisorit Josif Krefits; por gjithashtu në arkiv ndodhen dhe filma të regjisorit tjetër rus Mikhail Kalatozov si dhe një sërë ekranizimesh të veprave të kompozitorëve dhe shkrimtarëve të njohur rusë, siç është filmi “Bija e kapitenit”, prodhim i vitit 1959, i cili bazohet në romanin e fundit të shkruar nga Aleksandër Pushkin, me regji të Vladimir Kaplunovskiy, skenar të Nikolai Kovarsky. Gjithashtu në arkiv nuk mungojnë dhe materiale kronikash nga vizitat e delegacioneve ruse në Shqipëri dhe anasjelltas. Gjithë materialet që do të shkëmbehen (kopje) mes dy vendeve, do të jepen në formë elektronike DVD, me dëshirën për të zhvilluar më tej marrëdhëniet midis dy institucioneve të tyre, në interes të ndërsjellë, dhe duke marrë në konsideratë zhvillimin e bashkëpunimit profesional.