E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNDP: Në duart e kosovarëve janë rreth 330 mijë armë pa leje

Nga Express më 29 maj 2011 në ora 17:03

Armët pa leje në duart e qytetarëve, ende mbesin burim i rrezikut serioz për qytetarët. Sipas zyrtarëve policorë të Kosovës,vetëm këtë vit Policia e Kosovës ka reaguar në 522 raste dhe ka konfiskuar 562 armë pa leje. UNDP-ja vlerëson se në duart e kosovarëve janë rreth 330 mijë armë pa leje.

Policia e Kosovës thotë se ka plane të veçanta për konfiskimin e armëve ilegale dhe parandalimin e të shtënave me armë zjarri. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, thotë se këto plane realizohen në kuadër të angazhimit të policisë për ruajtjen e jetës së qytetarëve.

Vetëm këtë vit, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, janë evidentuar 11 vrasje, kryesisht me armë pa leje. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka intervenuar në 522 raste ku ka konfiskuar 562 armë të kalibrave të ndryshëm pa leje thotë Kelani.

Me marrjen e përgjegjësive për menaxhimin e integruar të kufirit, Kelani thotë se është bërë edhe parandalimi i kontrabandimit të armëve.

Megjithatë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, në një hulumtim në vitin 2010 ka konkluduar se nga 400 mijë armë, në duart e qytetarëve janë 330 mijë armë pa leje.Ndërkaq, Policia e Kosovës nuk e precizon numrin e armëve pa leje që posedon popullata duke thënë se në aksione të ndryshme ka njerëz që kanë dorëzuar armët në mënyrë vullnetare. /rtk/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›