Tadic për zgjidhje pragmatike

Presidenti serb, Boris Tadic, ka thënë se Serbia është e gatshme të gjejë zgjidhje pragmatike për Kosovën në bashkëpunim me partnerët e vet në BE.
“Momentalisht po zhvillojmë dialog me Prishtinën dhe në këtë drejtim po punojmë me përkushtim”, ka thënë Tadic, në një intervistë për televizionin francez France 24.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ndërsa, lidhur me arrestimin e Ratko Mladicit, presidenti serb ka thënë se “kemi mbyllur çështjen e Ratko Mladicit për shkak të vetes sonë, e jo që të kishim ndonjë rol për tregti”.
Duke folur për dyshimet e shprehura se arrestimi i Mladicit ishte i kurdisur dhe se përputhej me vizitat e zyrtarëve evropianë në Beograd, Tadic ka thënë se “ishte koincidencë e vërtetë”.
Por, të dielën, gazeta Alo e Beogradit duke u thirrë në burime të saj, ka shkruar se arrestimi i Ratko Mladicit, në fshatin Llazarevo afër Zrenjaninit, ishte një lojë e përgatitur e pushtetit serb dhe shërbimeve sekrete të një vendi evropian, ku është fshehur i kërkuari i Hagës.