E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet e vdekur

Enisa Shahinovic nga Peja është kosovarja që ka vdekur nga të ftohtit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin boshnjako-kroat. Autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me ato kroate. Trupi i pajetë i 29 vjeçares pritet të kthehet në Kosovë, pasi t’i jetë bërë obduksioni. Për këtë rast janë arrestuar disa persona. Nga Nebih Maxhuni më 25 janar 2011 në ora 08:29

Qytetarja nga Peja, e cila dyshohet se ka vdekur nga të ftohit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë, është Enisa Shahinovic nga Kosova (1982) .

Lajmin për vdekjen e Shahinovicit e kanë konfirmuar edhe Policia e Kosovës si dhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, Ambasada e Kosovës në Zagreb është njoftuar zyrtarisht se një qytetare, shtetase e Kosovës, ka vdekur në vendkalimin kufitar midis Bosnjës e Hercegovinës dhe Kroacisë, saktësisht në Izaçiqi afër Bihaqit, në anën kroate në kufirit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate si dhe me ambasadën tonë në Kroaci. Autoritetet kroate na kanë njoftuar se trupi i pajetë i kësaj kosovareje aktualisht është në njërin nga spitalet atje dhe pritet që asaj t`i bëhet obduksioni mjekësor”, ka thënë për Express një zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Prishtinë.

Siç raportojnë mediat boshnjake, në anën kroate të kufirit tashmë të ndjerën e kishte pritur vëllai i saj.

Por, trupi i saj i pajetë është gjetur të dielën në mëngjes nga ana e policisë kufitare kroate.

Mediat boshnjake kanë njoftuat se gruaja me vete kishte edhe fëmijën dyvjeçar, që tash është në gjendje të mirë dhe është në vend të sigurt në Kroaci, ndërsa vëllai i së ndjerës, i cili e ka informuar policinë kufitare, është marrë në pyetje dhe është nën përkujdesje të spitalit në Bihaq.

Viktima dhe vëllai i saj janë të përkatësisë etnike boshnjake, ndërkohë që meqë trupi i vdekur është gjetur në territorin e Kroacisë, hetimet për vdekjen e saj po i kryen policia dhe prokuroria kroate.

Në bazë të deklaratës të vëllait të viktimës, mediat boshnjake njoftojnë se janë arrestuar dy meshkuj dhe një femër nga kantoni i Unës, të dyshimtë se kanë qenë të përzier në këtë rast dhe në raste të tjera të kalimit ilegal në kufirit boshnjako-kroat.

Lajmin për vdekjen e kësaj qytetareje të Pejës e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas tyre, policia është njoftuar edhe zyrtarisht për rastin. “Policia e Kosovës është njoftuar për këtë rast nga autoritetet kroate”, ka thënë shkurt Brahim Sadriu, zyrtar për media në policinë e Kosovës. Trafikimi me qenie njerëzore, bazuar edhe në raportet ndërkombëtare, në Kosovë është në nivele të larta.

Dëshira për të jetuar në ndonjë shtet tjetër, kryesisht në Evropën Perëndimore, ka shtyrë shumë shtetas të Kosovës të nisen edhe ilegalisht, duke u shndërruare në viktima. Në Kosovë, për trafikim me qenie njerëzore, së shpejti pritet të fillojë procesi gjyqësor për të arrestuarit e rastit “Tisa”, të cilët në vitin 2009, duke u përpjekur të kalojnë kufirin serbo-hungarez, përfunduan në lumin Tisa. Rreth 15 persona, kryesisht familje me fëmijë, humbën jetën dhe vetëm një prind me dy fëmijë kishte arritur të shpëtojë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›